(2LONLINE) – Kuvendi Komunal i Gjilanit, të martën, në seancën e radhës, të udhëhequr nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese, përveç tjerash ka miratuar edhe rekomandimin e Komitetit për Politikë dhe Financa, si kërkesë e Drejtorisë së Administratës, për mbulimin e shpenzimeve të shërbimit të pilot-projektit “Shtëpi-Komuna” për një periudhë 6-mujore.
Valentina Bunjaku-Rexhepi tha se në Komitetin për Politikë dhe Financa jemi dakorduar që të rekomandojë për Kuvend Komunal kërkesën e Drejtorisë së Administratës, për nxjerrjen e një vendimi për heqjen e shpenzimeve të postës për projektin “Home-komuna”, që qytetarëve u ofron mundësi aplikimi “online” për dokumente të gjendjes civile si dhe marrjen e shërbimit në shtëpi, përmes postës.
Edhe ky rekomandim ka marrë përkrahjen e të gjitha grupimeve politike në Kuvend Komunal, duke marrë parasysh se Gjilani është komuna e parë që ka filluar me projektin “Home –Shtëpia”.
Nazim Gagica, drejtor i Administratës, ka thënë se për të mbuluar këtë shërbim për periudhën 6 mujore, nevojiten përafërsisht 2 mijë euro. Sipas tij, deri tani në adresën elektronike të Drejtorisë së Administratës kanë arritur 412 kërkesa dhe 314 prej tyre i kanë marrë tashmë dokumentet e kërkuara, ndërsa 68 të tjera janë në proces. /2L ONLINE/