(2LONLINE) – Kuvendi Komunal i Gjilanit, të martën, në seancën e radhës, miratoi edhe propozimet për nevojën e qasjes në planet rregulluese “Qendra”, “Qarku” dhe “Fidanishtja”, të cilat i prezantoi dhe arsyetoi drejtori i Urbanizimit, Valon Shefkiu.
Shefkiu tha se plani për lagjen “Qendra” përfshin një sipërfaqe prej 72 hektarësh, plani i zonës ‘Qarku” kap një hapësirë prej 139 ha, kurse zona “Fidanishte” shtrihet në 107 hektarë. Ai ka thënë se mbeten edhe 300 hektarë zonë urbanen për t`u mbuluar me plane rregulluese në vitin tjetër.
Duke u përgjigjur në disa pyetje të këshilltarëve, Shefkiu sqaroi se te “Fidanishtja” bëhet fjalë për një zonë të re, që nuk ka qenë e përfshirë në plane detaje deri tani, ndërsa sa i përket lagjes “Zabeli”, ai tha se atje është duke vazhduar planifikimi që ka filluar më herët.
Kuvendi Komunal, me propozimin e Renan Imamit nga komuniteti turk e ka shtyrë për një seancë tjetër zgjedhjen e zëvendës-kryesuesit, meqë komunitetet nuk kanë arritur ende të merren vesh rreth këtij dhe postit të nënkryetarit për Komunitete, ndërkaq Kuvendi Komunal është plotësuar me anëtaren Rina Ahmeti (LDK), e cila erdhi si zëvendësim në vend të Florina Jerliut që është tërhequr për shkak të konfliktit të interesit me vendin tjetër të punës.
Përndryshe, në pikën e rendit të ditës “Të ndryshme” janë parashtruar mbi 30 pyetje nga këshilltarët komunalë, Imet Rrahmani, Nevzat Rushiti, Bujar Nevzati, Fehmi Sylejmani, Sahit Abazi, Sejdulla Kadriu, Arben Maliqi, Fatbardha Selmani, Riad Rashiti, Isa Agushi,Mevlide Zejnullahu, Arben Mehmeti dhe të tjerë dhe të gjithë ata kanë marrë përgjigje nga drejtorët e sektorëve përkatës. /2L ONLINE/