(2LONLINE) – Me 17 vota pro, 6 abstenime dhe asnjë kundër, kryesues i Kuvendit komunal në Viti në 4 vitet e ardhshme u zgjodh Naim Pira nga radhët e LDK-së. Nga 27 këshilltarë sa numëron Asambleja komunale e Vitisë, në votim morën pjesë 23, ngase një nga AAK mungonte, kurse tre këshilltarë të PDK-së Daut Xhemajli, Selvije Rexhepi dhe Bekim Azizi, ishin kundër votimit dhe nuk morrin pjesë në proces.
Ndonëse këshilltari Daut Xhemajli fillimisht u deklarua se PDK nuk do të pajtohet më votimin dhe kërkoi që të precizohet pozicioni që të dihet pozita dhe opozita.
“Në emër të këshilltarëve të PDK-së, kërkoi që të dihet raporti pozitë-opozitë. Neve votuesit na kanë lënë në opozitë , mirëpo ne duam që ti qartësojmë këto pozicione dhe të dihet pozicioni ynë.Kam dëshirë që në emër të këshilltarëve të PDK-së të dijmë këtë , në të kundërtën ne nuk shohim vazhdimin me procedimin e kësaj mbledhje”’ tha Xhemajli, transmeton Vitialive.
Por, qëndrimi i këshilltarit të PDK-së nuk ishte unik pasi që u vërejtën mospajtimet brenda këtij subjekti edhe në seancën e sotme, ku këshilltarët tjerë të kësaj partie morën pjesë në votim. Kryetari i komunës Sokol Haliti duke uruar për punë të mbarë asamblistët, tha se nuk jam i prirë që të ndajë Kuvendin në pozitë dhe opozitë dhe asnjëherë nuk do ta bëjë këtë.
“Deklarimi i vetëm dhe sublim i imi si kryetar komune është që të punojë bashkërisht me gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të komunës së Vitisë që janë në Kuvend dhe ju ftoj që mos të ndahemi këtu në Kuvend port ë kemi vetëdije të përgjegjësisë dhe çështjet e rëndësishme që janë në interes ë qytetarëve të shikohen drejt dhe ti shtyjmë përpara këto procese”, tha Haliti.
Në pikën e dytë të rendit të ditës u aprovua vendimi për Komitetin për Politikë e Financa që do të ketë 7 anëtarë, 2 anëtar dhe kryesuesi nga LDK, 2 nga PDK, dhe nga 1 AAK dhe Vetëvendosje. Po ashtu u vendos që në Komitetin për Komunitete 3 anëtar të jenë nga pakicat, si dhe nga 1 anëtar të jetë nga AAK dhe Vetëvendosje.
/foto:vitialive/