(2L ONLINE) -Kuvendi Komunal i Gjilanit, të premten, në seancën e radhës, ka miratuar Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2015-2017, vendimin për emërimin e anëtarëve të Komisionit Komunal të Aksionarëve në kompanitë “Ecohigjiena” dhe “Kosovatrans”, vendimin për emërimin e Komisionit për plotësimin e emërtimeve të rrugëve dhe numërimit të adresave në territorin e Komunës së Gjilanit si dhe dy vendime për lejimin e transferim të mjeteve financiare.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se KAB është rekomanduar për miratim nga Komiteti për Politikë dhe Financa, pasi ka kaluar edhe debatin me publikun, ku janë dëgjuar dhe marrë parasysh edhe vërejtjet dhe sugjerimet e qytetarëve.
Salih Kqiku, drejtor për Buxhet dhe Financa, ka thënë se në tri vitet e ardhshme, buxheti i Komunës së Gjilanit, do të shënojë një rritje të ndjeshme, e cila do të shkojë deri në 5 milion euro.
KAB është bazë për caktimin e politikave zhvillimore si dhe prioriteteve për periudhën 2015-2017. Si prioritete më të rëndësishme, në vizionin zhvillimor të Komunës së Gjilanit, për tri vitet e ardhshme, Kqiku përmend forcimin e ekonomisë lokale, përmirësimin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, kujdesin ndaj ambientit si dhe avancimin e shërbimeve për qytetarë.
Kqiku tha se, duke respektuar kufijtë buxhetor të Ministrisë së Financave, për vitin 2015, në varantin e parë, është planifikuar një buxhet prej mbi 21 milionë euro, ndërsa bazuar në kërkesat e drejtorive dhe nevojat e qytetarëve, në variantin e dytë, është planifikuar buxheti prej mbi 25 milionë e 712 mijë euro.
Rritja do të jetë më e theksuar në dy vitet pasuese, kur buxheti do të shkojë në afër 26 milionë (2016), përkatësisht në 26 milionë e 285 mijë euro (2017), thotë Kqiku. Në vitin 2015 parashihet një rritje reale prej 4.6 për qind, në vitin 2016 – 4.3 për qind dhe në vitin 2017 – 4.2 për qind.
Të hyrat e planifikuara për vitet 2015-2017 do të rriten përafërsisht prej 2.12 – 7.41 për qind, në krahasim me vitin 2014. Rritja bazohet kryesisht tek të hyrat nga tatimi në pronë, që deri në vitin 2017 do të jetë 4.5 për qind.
Kqiku ka thënë se investimet kapitale do të shënojnë rritje në vitin 2015 për rreth 31 për qind, në krahasim me vitin 2014. Një pjesë e mirë e këtyre investimeve, bazohen në të hyrat vetanake, ka thënë Kqiku. Sipas tij, rritja e investimeve vetanake do të shënojë rritje nga viti në vit.
Opozita (PDK) e ka quajtur KAB-in, kopje të dokumentit të qeverisjes së kaluar. Riad Rashiti (PDK) tha se KAB është një fontanë dëshirash, ndërsa synimi për të rritur buxhetin për 5 milionë euro në tri vitet e ardhshme, nuk është real, ka thënë ai.
E nxitur nga vërejtjet e Rashtit për KAB-in, Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, tha se në KPF u akuzuam nga një anëtar tjetër i PDK-së se e kemi kopjuar komplet këtë dokument nga qeverisja e kaluar, ndërsa këtu po thuhet se është bërë keq.
Bujar Nevzati (PDK) nuk e mohoi ta ketë thënë këtë, duke shtuar se dokumenti është i njëjtë, por ju e keni prishur aty ku keni prekur, tha ai.
Nevzad Isufi (VV) paraqiti vërejtje rreth ndarjeve buxhetore, duke thënë se shpenzimet e planifikuara për mallra te shëndetësia janë më të ulëta se ato të zyrës së kryetarit të Komunës.
Për Shukrije Rapucën, KAB është një dokument i mirë si përmbajtje, por nuk bazohet në burimet reale financiare.
KAB mori mbështetje nga këshilltarët e koalicionit qeverisës. Zijadin Maliqi (LDK) tha se KAB është një dokument që i paraprin planifikimit buxhetor për vitet e ardhshme, ndërsa detajet parashihen në buxhetin vjetor.
Arben Mehmeti (LDK) propozoi që në buxhet të parashihen mjete edhe për Kuvendin Komunal, në formë të subvencioneve, ndërsa Avdyl Aliu (LDK) tha se pjesë e këtij procesi të planifikimit buxhetor, kanë qenë edhe qytetarët.
Sa i përket Komisionit 15 anëtarësh për emërtimin e rrugëve, që po ashtu u miratua nga Kuvendi Komunal, arsyetimin e kanë dhënë drejtori i Urbanizmit, Valon Shefkiu si dhe zyrtari Fehmi Agushi, duke thënë se kërkesa bazohet në projektin për sistemin e adresave në Kosovë.
Subjektet politike do të përfaqësohen në komision në bazë të fuqisë që kanë në Kuvendin Komunal, duke respektuar kriterin e profileve profesionale që kërkohen, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.
Sahi Abazi (PDK) e Fehmi Sylejmani (VV) kanë kërkuar që në Komisionet e Aksionarëve për kompanitë “Ecohigjiena”, që vepron në partneritet publiko-privat dhe “Kosovatrans” si kompani publike, njëri nga dy anëtarët, të jetë nga opozita, gjë që është pranuar nga kryesuesja e Kuvendit, duke hedhur në votim të dyja propozimet me emra konkretë, por nuk i ka marrë votat e shumicës.
Kuvendi ka miratuar edhe vendimin për transferin e mjeteve financiare nga planifikimi i të hyrave vetanake, për nevoja të familjeve skamnore si dhe transferin e disa mjeteve të tjera në shëndetësi, me qëllim të furnizimeve mjekësore në QKMF, të cilat i ka arsyetuar Salih Kqiku, drejtor për Buxhet.
Përndryshe edhe seanca e sotme është përshkuar me shumë debate mospjatuese opozitë-pozitë, të cilat kanë bërë që seanca të zgjas mbi gjashtë orë. Bujar Nevzati (PDK) u shpreh i pakënaqur me listën e ofruar të të punësuarve në administratën komunale si dhe të projekteve të realizuara gjatë vitit 2014, të cilat i kishte kërkuar në seancën e kaluar.
Edhe Riad Rashiti (PDK) tha se nuk ka marrë përgjigje në kërkesat e parashtruara.
Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, tha se debati kuvendar jashtë rendit të ditës nuk është normë statutare dhe i inkurajoi këshilltarët komunalë që ta inicojnë këtë çështje për ta futur në statutin e Komunës, nëse duan që kjo pikë të jetë e përhershme.
Ndërkaq, duke dhënë përgjigje në pyetjet e ngritura nga opozita, ai ka thënë se borxhet e trashëguara edhe më tutje mbeten një barrë e madhe për qeverisjen e tashme, sepse borxhet duhet të servisohen nga të hyrat vetanake, për çka në këtë periudhë janë shpenzuar 1.8 milionë euro. Sa u përket borxheve më të vjetra se tri vjet, Haziri ka thënë se ato do të dërgohen në gjykatë, sepse nuk mund të paguhen me kaq vonesë.
Sa u përket disa shërbimeve të kontraktuara më herët, ai ka thënë se ato kontrata janë ndërprerë meqë komuna nuk ka kapacitet buxhetor për t`i paguar ato shërbime. Haziri mohoi në mënyrë kategorike që të jenë rritur shpenzimet.
Kurse rreth tenderit për dezinsektim, ai sqaroi se e ka anuluar atë pasi ka kuptuar se para tri vitesh, e njëjta kompani ishte kontraktuar me çmim shumë më të ulët për këtë shërbim.
Sa i përket problemit të mësimdhënësve që rrezikojnë të mbeten pa vende pune, që si interesim ishte ngritur më herët nga Sahit Abazi (PDK), kryetari Haziri ka thënë se nuk do të hapet konkurs për mësimdhënës përderisa nuk sigurohemi se çdo punëtor arsimi me kontratë pune, është sistemuar.
Seanca ka vazhduar me pyetje dhe interesime tjera për kryetarin e Komunës si dhe drejtorët komunalë, edhe në pikën nën të ndryshme. /2L ONLINE/