Kuvendi Komunal i Vitisë, ka mbajtur sot mbledhjen e katërt të rregullt, ku për këtë mbledhje ishin paraparë një varg pikash të rendit të ditës, mes cilave është diskutuar edhe për pasqyrat financiare të buxhetit komunal për periudhën janar-mars 2022.
Fillimisht, këshilltarët e Kuvendit, kanë parashtruar pyetje për disa çështje me rëndësi që kërkojnë zgjidhje.
Lidhur me pasqyrat financiare, drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Besnik Imeri, prezantoi pasqyrat financiare të buxhetit komunal për periudhën janar-mars 2022. Na bazë të të dhënave të paraqitura nga drejtori Imeri, shkalla e inkasimit të hyrave vetanake nga planifikimi vjetor është 16.95% ose mbi 167 mijë euro.
“Buxheti i alokuar për periudhën janar-mars të vitit 2022 nga fondet burimore: Granti qeveritar, të hyrat vetanake dhe donacionet është 2.820.858, ndërsa shpenzimet janë 2.565.272. Shkalla e ekzekutimit të buxhetit për periudhën janar-mars 2022, është 90.96% në krahasim me alokimet për të gjitha programet dhe kategorit ekonomike” tha drejtori Imeri.
Për këtë periudhë të shpenzimeve, këshilltarët kërkuan sqarime lidhur me disa shpenzime por edhe me inkasimin e mjeteve për këtë periudhë raportuese.
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit, gjithashtu janë shqyrtuar dhe votuar me shumicë votash këto pika: Propozim vendimi për bartjen e mjeteve nga të hyrat vetanake të vitit 2021 në vitin 2022, propozim vendimi për shpalljen interes të përgjithshëm për hapjen e rrugës së re në Zonën Kadastrale në Sllatinë, propozim vendimi për formimin e komisionit për shqyrtimin e ankesave të ankandit publik për dhënien e pronës së komunës në shfrytëzim afatshkurtër dhe afatgjatë, propozim vendimi paraprak për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale përmes ankandit publik, propozim vendimi për formimin e komisionit vlerësues dhe zbatimin e procedurave për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës në shfrytëzim, si dhe propozim vendimi për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit të Ambulantes në fshatin Gushicë në Viti.
Gjithashtu, nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u dha një informatë për manifestimi tradicional kulturo-sportiv “Flakadani i Karadakut 2022”. /2LONLINE/