Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën kryesimin e Kushtrim Kadriut, ka vazhduar sot punimet me mbajtjen e dy seancave, të katërt dhe të pestë, të cilat kishin dështuar që nga prilli e këndej, shkaku i mungesës së kuorumit, pasi që opozita e cila përbën shumicën, insistonte në transmetim medial, siç ishte në të kaluarën dhe nuk mjaftohej me transmetim vetëm me kanalin zyrtar në youtube dhe në faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit në facebook.
Ndërkohë Komuna ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me shumicën e mediave lokale për ofrimin e shërbimeve në mbulimin e seancave të Kuvendit.
Pas një sërë diskutimesh polarizuese, opozita (LDK-PDK-AAK-Vatra) u pajtua që Kuvendi të vazhdojë punën, por duke e reduktuar rendin e ditës, meqë sipas tyre, shumë nga pikat e parapara për muajt prill e maj, tanimë nuk janë aktuale.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni kërkoi që të përfshihet në rend dite edhe propozimi i tij për bartjen e mjeteve në shumë prej mbi 2.5 milionë euro, nga viti i kaluar, ndërkohë që i njoftoi vendimmarrësit për riorganizimin e buxhetit që është dashur të bëhet për shkak të kësaj vonese, duke i specifikuar edhe projektet dhe kërkesat, si janë ajo për rritje pagash në ndërmarrjen Tregu, përfundimi i projektit te varrezat e dëshmorëve, për subvencione në bujqësi, në kulturë, për shoqatën Handikos, Shoqatën e të Verbërve, Shoqatën Pema, sikurse edhe për shpenzime kapitale dhe nevoja të tjera.
Ndërkaq, sa i përket shpenzimeve kapitale, ai tha se tanimë është vonë për të filluar procedura për këtë vit, ndërkohë që ende nuk është bërë bartja e mjeteve nga viti paraprak.
Opozita doli kundër propozimit fillestar të kryetarit të Komunës, ashtu siç e paraqiti ai, por tha se është e gatshme t`i votojë kërkesat e shoqatave Handikos, “Pema”, Shoqatës së të Verbërve, të ndërmarrjes Tregu si dhe projektin e Varrezave të Dëshmorëve, ashtu siç i formuloi Nazim Gagica (AAK) dhe i mbështetën edhe nga Avdyl Aliu (LDK), Bujar Nevzati (PDK) e Kushtrim Kadriu (Vatra), përkatësisht anëtarët e këtyre subjekteve politike në Kuvend.
Përndryshe, sa i përket rishqyrtimit të vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit 01.nr.016-35193 të datës 31.03.2022 për caktimin e anëtarëve në Komitetin për Politikë dhe Financa të Kuvendit të Komunës së Gjilanit (kërkesë e MAPL), Kuvendi vendosi ta lë në fuqi vendimin e muajit shkurt, ndërkohë miratoi emërimin e Komisionit për dhënien e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, Komisionit për përcaktimin e Listës së lokacioneve dhe hapësirave publike për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve dhe simboleve, brenda territorit të Komunës së Gjilanit, Këshillin Komunal për vlerësimin e meritave historike e shoqërore të personaliteteve dhe ngjarjeve nga territori i Komunës së Gjilanit, tërësia etnike shqiptare dhe më gjerë, që të gjithë me nga shtatë anëtarë si dhe Planon lokal të veprimit për cilësi të ajrit.
Ndërkaq në seancën e pestë, që u mbajt në vazhdim, por pa pozitën (LVV) dhe partnerët e saj, e cila duke mos u pajtuar me mbështetjen e pjesshme të propozimit për bartjen e buxhetit nga viti paraprak, kërkoi një pauzë dhe nuk u kthye më për të marrë pjesë në votim, Kuvendi miratoi edhe kërkesën e banorëve të Sllakocit, të cilën e prezantoi këshilltari Sami Ahmeti, për ndarjen e një parcele për nevoja të fshatit.
Këshilltari i vetëm i LVV, Ismajl Kurteshi, i cili u kthye ndërkohë në seancë, abstenoi në të dyja pikat e rendit të punës së kësaj seance. /2LONLINE//