Gjilan – (2LONLINE) – Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), në Kuvendin Komunal të Gjilanit që do t’i ketë 35 ulëse pritet të jenë pjesëmarrës përfaqësues nga hiq më pak se 12 subjekte politike, duke përfshirë këtu edhe përfaqësues të subjekteve nga komuniteti serb dhe turk. E veçanta e këtyre zgjedhje është fakti se në KK të Gjilanit mund të jenë 8 subjekte të përfaqësuara vetëm me nga një këshilltar.
Përndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partia më e votuar në zgjedhjet e 3 nëntorit pritet t’i ketë 11 këshilltarë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), 8 këshilltarë , Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e Lëvizja Vetëvendosje, pritet të përfaqësohen me nga 4 këshilltarë. Ndërsa tetë subjekte politike bazuar në rezultatet preliminare, mund ta kenë nga një këshilltarë e ato subjekte janë: Aleanca Kosova e Re (AKR), Lëvizja Vatra (LV), Partia e Drejtësisë (PD), Lëvizja Republikane(LR), Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP), Kosova Turk Adalet Partisi ( KTAP), Partia Social Demokrate (PSD) si dhe Za Evropsko Pomoravle.
Megjithatë, duhet pritur rezultate zyrtare të KQZ-së për të ditur përbërjen e saktë të Kuvendit Komunal të Gjilanit, sa i përket aspektit të përfaqësimit politik, e po ashtu për t’u sqaruar edhe individualisht cilët do të jenë ata emra që do të jenë këshilltarë komunal të asamblesë së re në Gjilan. /2lonline/