Kuvendi i Kosovës pritet të diskutojë sot miratimin në parim të projektligjit, i cili ua ndalon qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit. Nxjerrja e këtij ligji është thënë se erdhi si nevojë e sanksionimit të pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në konfliktet jashtë territorit, pas rasteve të evidentuara tashmë të pjesëmarrjes së dhjetëra personave në luftën e Sirisë.
Në këtë projektligj përcaktohen si vepra penale të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, transmeton REL.
Dispozitat e këtij ligji, parashihet të zbatohen ndaj çdo personi, i cili merr pjesë apo organizon, rekruton, financon, nxit, udhëheq apo trajnon personat ose grupe të personave me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës. Kurse, dënimet për shkeljen e këtij ligji, varësisht se për cilën dispozitë bëhet fjalë, parashihen nga 3 deri në 15 vjet burg.