Kuvendi Komunal i Gjilanit, nën drejtimin e Shpresa Kurteshit-Eminit ka miratuar sot Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB), për vitin fiskal 2022 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2023-2024, ndërsa me pikat tjera do të vazhdojë nesër, meqë opozita e braktisi seancën në shenjë mospajtimi me vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore si dhe rrënimin e objekteve të institucioneve publike në zonat e planeve rregulluese urbane, duke kërkuar që kjo çështje të shtyhet.
Kornizën Afatmesme Buxhetore për periudhën 2022-2024, në pika të shkurtra e ka paraqitur drejtoresha Meral Sadriu Vokshi, e cila ka thënë se brenda tri viteve të ardhshme parashihet një rritje e buxhetit nga 27.734.737 milionë (2021) në afër 32 milionë (2024).
Edhe të hyrat komunale, që realizohen nga tatimi në pronë dhe taksat e ngarkesat për shërbime, do të shënojnë ngritje të vazhdueshme, nga viti në vit, që më 2024 do të arrijnë në 5 milionë, apo një milion më shumë se në vitin 2021.
Të hyrat nga tatimi në pronë dhe tokë do të dyfishohen deri në vitin 2024, përkatësisht do të rriten nga 1.3 milion (2021), në 2.6 milionë (2024).
Tendencë të rritjes së përhershme ka edhe te investimet kapitale, të cilat nga 6.2 milionë, sa janë këtë vit (2021), do të shkojnë deri në 8.2 milionë deri në vitin 2024.
Në diskutimet e këshilltarëve komunalë: Festa Shabani, Gentrit Murseli, Krenare Latifi, Fitim Guda, Arta Haziri, Fehmi Sylejmani, Burim Berisha, Riza Abdyli, Shemsedin Ramushi dhe të tjerë, ka dominuar kërkesa për rritje të subvencioneve për kulturë, rini e sport, arsim, shëndetësi, biznese dhe sektorë të tjerë.
Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës tha se pajtohet që subvencionet për kulturë, rini e sport janë të vogla dhe premtoi se bashkërisht me Drejtorinë për Buxhet do të shikohet mundësia për rritjen e mjeteve për këta sektorë.
Drejtoresha Meral Sadriu Vokshi sikurse edhe shefi i Financave, Ilmi Limoni, thanë se kërkesat mund të jenë të arsyeshme, por ato duhet të harmonizohen me mundësitë buxhetore, ndryshe çdo dalje jashtë kufijve buxhetorë që i vendos qeveria, mund të mbetet vetëm një fontanë dëshirash.
Kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini e nxori në votim KAB-in bashkë me kërkesën për rritjen e subvencioneve për kulturë, rini e sport, për aq sa lejojnë mundësitë buxhetore.
Kurse sa iu përket investimeve kapitale, që gjithashtu pati kërkesa, Kurteshi-Emini sqaroi se së shpejti do të fillojnë dëgjimet për buxhetin 2022 dhe të gjitha propozimet mund të paraqiten në ato takime.
Mospajtime pozitë-opozitë u reflektuan më së shumti te vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore si dhe rrënimin e objekteve të institucioneve publike në zonat e planeve rregulluese urbane, i cili u bë shkas për lëshimin e seancës nga opozita, e cila kërkoi që kjo pikë të tërhiqet, meqë nuk ka konsensus, ndryshe do ta lëshojnë seancën, gjë që edhe e bënë.
Veprimet e opozitës u cilësuan të paarsyeshme nga kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi Emini.
Pas një pauze, Shemsedin Ramushi (AKR) tha se me shefat e grupeve politike u dakorduan që seanca të vazhdojë nesër me pikat e mbetura të rendit të ditës.
Përndryshe, në pjesën e pyetjeve të anëtarëve të Kuvendit, është përgjigjur nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, i cili, sa i përket sanimit të dëmeve nga vërshimet në Pogragjë, ka thënë se atje është investuar në infrastrukturë, për të krijuar qasje për disa familje, ndërsa ndihmë financiare nuk ka pasur, sepse këtë nuk e lejojnë mundësitë buxhetore. Por, komuna e ka bërë vlerësimin e dëmeve në bujqësi dhe raporti është dorëzuar në qeveri, ndërsa raporti për dëmet në ekonomitë familjare pritet të dorëzohet sot ose nesër dhe mbetet të shohim nëse do të kemi përgjigje.
“Si komunë do të mundohemi të subvencionojmë ndonjë familje me gjendje të rëndë sociale, sepse për të gjitha nuk ka mundësi buxhetore”, ka thënë Ismajli.
Ndërkaq sa i përket QKMF-së, ai tha se vonesat në përfundimin e punimeve janë pasojë e disa mangësive në projektim, por gjithçka është në përmbyllje e sipër dhe objekti i ri do të jetë gati shumë shpejt.
Po ashtu, shumë shpejt do të jetë i gatshëm për t`i pranuar banorët e parë edhe fshati social, ku disa investime në asfaltimin e rrugëve të brendshme, është dashur t`i marrë përsipër Komuna, edhe pse fillimisht nuk kanë qenë të parapara.
Sa i përket kërkesës për rinovimin e çative dhe fasadimin e objekteve të banimit kolektiv në lagjen Iliria, të cilën e kishte ngritur këshilltarja Mimoza Kadriu Qerimi, nënkryetari Ismajli tha se shkaku i pandemisë, ky premtim nuk ka mundur të realizohet, por do të shikohet mundësia të bëhet diçka vitin tjetër.
Ismajli është përgjigjur edhe në pyetje të tjera, të ngritura nga Fesat Shabani, Krenare Latifi, Isa Agushi, Arbëresha Berisha, Shefik Surdulli, Mimoza Kadriu Qerimi, Fehmi Sylejmani, Arianit Sadiku, Nehat Osmani, Fitim Guda, Arta Haziri Nuhiu, Riza Abdyli, Avdyl Aliu dhe të tjerë, të cilët ngritën çështje me interes për qytetarët. /2LONLINE.com/