Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, priti në takim Kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, të shoqëruar nga Shefi i Zyrës për Zhvillim Ekonomik në këtë komunë, Agron Islami.
Kamberi e uroi kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe shprehu dëshirën që institucionet shtetërore të formohen sa më parë, në mënyrë që qeveria e re t’ia filloj punës për ndryshimet që qytetarët e Republikës së Kosovës kanë votuar.
Kurti e falënderoi për urimin dhe vizitën. Ai e njoftoi z. Kamberin se prioritet i qeverisë së re do të jetë shtetndërtimi demokratik që siguron progres socio-ekonomik për gjithë qytetarët e Republikës, pa dallim.
Duke diskutuar për zhvillimet në Luginë e Bujanoc, në këtë takim u theksua nevoja e angazhimit më të madh të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë për shqiptarët atje. U fol për nevojën për universitet në gjuhën shqipe në Bujanoc, për fondin e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës për Luginën e Preshevës të miratuar para gati 6 vjetësh, gratë shqiptare që për të lindur shkojnë nga Bujanoci në Vranjë meqenëse materniteti i famshëm në Preshevë është jashtëspitalor etj.
Në përfundim të takimit, u shpreh gatishmëria për bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen.