Fjala e rektorit Kosumi në ceremoninë e diplomimit të studentëve

Fjala e rektorit Kosumi në ceremoninë e diplomimit të studentëve

/Ceremonia e Diplomimit të Studentëve të Universiteti “Kadri Zeka” – Fjala e Rektorit Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi/

I. Të dashur studentë, profesorë prindër dhe qytetarë, Të dashur mysafirë që na keni nderuar me pjesëmarrjen tuaj,
Sivjet edhe 297 studentë tanë po marrin diplomat e Universitetit Publik Kadri Zeka Gjilan. Me këta numri i të diplomuarve në UKZ ka mbërri në 924. Kemi diplomuar 299 mësues dhe edukatorë; 370 ekonomistë; 178 juristë; 77 shkenca kompjuterike. Në muajt e ardhshëm do të kemi edhe të diplomuarit e parë nga studimet master.

II. Në këtë vit kemi akredituar programin studimor Matematika Arsimore dhe kemi pranuar 20 studentë në këtë program. Pas një kohe këta studentë do të bëhen arsimtarë të matematikës në shkollat parauniversitare.

III. Sivjet kemi themeluar edhe fakultetin e pestë të UKZ: Fakulteti i Shkencave Aplikative. Me këtë fakultet po hapim një rrugë të re, shumë të mirë për studentët dhe tregun e punës: aftësimin e një pjese të studentëve drejtpërdrejt për vendin e punës. Sot, për herë të parë me ne është këtu edhe kryetari i Bordit Industrial të UKZ, z. Xhelal Selimi. Shpresoj që në të ardhmen studentët tanë të munden të zhvillojnë praktika dhe hulumtime në bizneset e Anamoravës e të gjithë Kosovës.

IV. UKZ ka fituar projektin një milionësh në programin ERASMUS +, me titull: QUADIC. Projekti QUADIC ka të bëjë me ndërkombëtarizimin e universiteteve si dhe ngritjen e kapaciteteve për projektet ndërkombëtare. Universiteti “Kadri Zeka” është koordinator i projektit dhe ka gjithsejtë 18 partnerë vendorë, rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Me këtë rast e falënderoj koordinatorin e projektit, profesorin Dukagjin Leka.

V. Më 31 dhjetor 2018, një grup i studentëve ka prezantuar projektin “Personat pa shtetësi dhe ndikimi i tyre në UKZ”, të fituar nga programi HERAS i financuar nga Qeveria Austriake. E përmend këtë hulumtim, sepse është rezultat i studentëve të Juridikut.
VI. Universiteti “Kadri Zeka” në prill të këtij viti është bërë anëtar i Forumit të Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor. UKZ është pranuar edhe në Komitetin Ekzekutiv të Rrjetit të Zgjidhjeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm, i cili është Iniciativë Globale e Kombeve të Bashkuara.

VII. Ka filluar mandati i ri i organeve udhëheqëse të universitetit: i rektorit, senatit, dekanëve, i Këshillave të Fakulteteve dhe i Parlamentit Studentor. Disa qindra studentë, zyrtarë administrativë dhe profesorë kanë marrë pjesë në zgjedhje, duke dëshmuar një proces të denjë zgjedhor.

Ky është tregim i suksesit, sepse për një universitet të ri është shumë e rëndësishme përfundimi me sukses i mandatit të plotë dhe fillimi me sukses i mandatit të ri.

Me këtë rast falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje, të gjitha strukturat udhëheqëse të UKZ në mandatin 2015-2019. Sidomos falënderoj prorektorët Shpresë Qamili, Dukagjin Leka dhe Naim Mustafa. Falënderoj dekanët Jonuz Dervodeli, Xhevdet Thaci, Sadik Haxhiu dhe Gëzim Tosuni. Falnderoj edhe sekretarin gjeneral të UKZ, Vaxhid Sadriu. Falënderoj studentët dhe Parlamentin Studentor.

Njëkohësisht, ju uroj sukses të gjitha strukturave të reja udhëheqëse në mandatin e dytë.

VIII. Do ta kujtoj me kënaqësi gjithmonë se si një ditë kur dola të vizitoj procesin mësimor në UKZ, gjeta në dy klasa studentët tanë të shkëlqyeshëm teksa ushtronin falas studentët që kishin vështirësi në lëndë të ndryshme. Më vonë kam parë disa herë ata teksa ushtronin edhe kandidatët për studentë. U përkulem thellë atyre që e kanë dijen dhe e shpërndajnë dijen dhe për të tjerët.
Gjatë këtij viti Parlamenti Studentor i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan ka organizuar performancë live me studentët e UKZ-së në teatrin e qytetit. Mjetet financiare të grumbulluara me këtë rast janë dhënë për pagesën e semestrit dhe sigurimin e literaturës për studime për studentët me kushte jo të mjaftueshme financiare. I falënderoj studentët për artin dhe humanizmin e tyre.

IX. Para tri javësh mora pjesë në një takim të organizuar nga Fakultetit Ekonomik me alumnin, studentët që kanë përfunduar studimet në UKZ dhe tash punojnë ose studiojnë diku tjetër. Isha shumë i lumtur kur njëra prej ish studenteve tha se në universitetin e ri ndjehet krenare me dijet e fituara në bachelor dhe është në mesin e studentëve të mirë.

Studentët tanë kudo që po shkojnë po tregojnë rezultat. Shumë prej tyre janë regjistruar në studime master në qendra të tjera kosovare dhe në shtete të tjera dhe janë radhitur në krye të tabelave.

Shumë prej tyre kanë filluar punën. Natyrisht, shumë prej tyre ende nuk kanë një zgjidhje, sepse tregu ynë i punës është i vogël dhe jo funksional. Në këtë pikë, UKZ duhet të rishikojë të gjitha programet e veta studimore, që t’ua përshtatë tregut të punës.
Po më shumë se të gjitha, nga takimi me Alumnin e Ekonomikut më bëri të lumtur fakti se tre nga studentët kishin hapur bizneset e tyre.

Njërën prej tyre e takova personalisht, Kosovare Basha, dhe e pyeta si e nisi? Ajo m’u përgjigj thjeshtë dhe qartë: konkurrova në disa vende dhe nuk u pranova; pse të pres nga të tjerët kur mund ta provoj vet? Kishte vendosur, nisi një biznes të vogël dhe deri më tash është e suksesshme.

Disa prej këtyre studentëve sot janë me ne. Disa edhe do të flasin para jush. Ne e çmojmë shumë praninë e tyre, sepse ata na japin kurajo dhe shpresë për suksese të ardhme.

X. Të nderuar të pranishëm, Dëshiroj të përmend një emër shumë të çmueshëm të historisë e kulturës shqiptare: Adem Demaçi. Posta e Kosovës, me rastin e Festës së 28 Nëntorit, në kuadër të aktivitetit “I patunduri – Adem Demaçi”, emetoi një pullë postare me portretin e Adem Demaçit. Autor i portretit është piktori e profesori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Ahmet Ibrahimi.

XI. Dua të veçoj edhe pesë persona të tjerë, për punët e tyre të suksesshme në UKZ. Me rastin e 6 vjetorit të UKZ, studentët e vitit të tretë në Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Liridon Halimi, Fatmir e Ilir Nuredini, nën udhëheqjen e Profesorit Ragmi Mustafa, realizuan projektin: “Digjitalizimi i sallave të mësimit në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike”. Më duhet ta pranoj publikisht, sa do mund të gjelozojnë fakultetet e tjera, se sapo të hysh në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike e ndjenë veten se je në një stanard tjetër. Falënderim për studentët e FSHK dhe ish dekanin Xhevdet Thaci.

Fakulteti i Shkencave Kompjuterike ka organizuar Konferencën e parë DiGiDay 2019, në bashkëpunim me Universitetin e Podgoricës, Universitetin e Korçës “Fan S. Noli”, Universitetin e Elabasanit “Aleksander Xhuvani”, Universitetin “Nënë Tereza”, Shkup, Universitetin e Vlorës “Ismail Qemajli” dhe Universitetin e Mitrovicës, “Isa Boletini”.

Konferenca qe mjaft e suksesshme dhe premtuese për një fillim të ri.

XII. Oda e Avokatëve të Kosovës dhe studentët e UKZ organizuan aktivitetin “Orët për Ndihmë Juridike pa Pagesë” në Universitetin “Kadri Zeka”, me c’rast ofruan ndihmën juridike në Klinikën Juridike Penale me Raste Reale, pro- bono (pa pagesë), në prani edhe të ambasadorit amerikan në Kosovë, z. Filip Kosnet.

XIII. Të dashur studentë, profesorë dhe qytetarë, Në çdo fjalim timin si rektor, tash e katër vjet, kam folur edhe për cilësinë në UKZ. E kam parasysh se cilësi nuk krijohet brenda ditës, se praktikat jo të mira gjatë procesit të mësimit nuk zhduken lehtë, e kuptoj edhe se jo të gjithë janë të gatshëm për cilësi, por pavarësisht nga këto, pavarësisht nga fushatat e propagandat, i vetmi qëllim që më bën mua dhe juve të jemi këtu ku jemi është dhe duhet të jetë cilësia e mësimit dhe hulumtimit në UKZ.
Studentët tanë po konkurrojnë në tregun global të punës, në shumë mënyra, edhe pa liberalizim të vizave. Diplomat tona i shtrohen vlerësimit të tregut global. Në të ardhmen ky do të jetë rregulli. Kush nuk e kupton atë, ministër, rektor, profesor a student, nuk është duke e kuptuar thelbin e çështjes.

XIV. Në fund na duhet të falënderojmë të gjitha ata që janë angazhuar në organizimin e Ceremonisë së Diplomimit: studentë, profesorë dhe zyrtarët administrativë. Falënderoj edhe donatorët që na kanë ofruar shërbime falas.

Në veçanti falënderoj Komisionin për organizimin e Ceremonisë: profesor Shpresa Qamili, sekretarin Vaxhid Sadriu, Dritor Mehmetin, ligjëruese Drita Kryeziu për moderimin e shkëlqyeshëm, si dhe shumë zyrtarë të tjerë, si: drejtorët Valon Kllokoci, Fitore Malaj dh Kosovare Shabani, Minirja, Valmirja, Hidajetja, Kushtrimi, Arlinda,

XV. Të dashur studentë dhe profesorë, Puna e juaj na fisnikëron edhe neve. Çdo punë e përditshme e juaja më bën mua krenar, secilin profesor dhe secilin prind. Jam i sigurt që secili prej neve që sot jemi këtu, familjari, studenti, profesori, mysafirët, qytetarët, të gjithë presin me padurim rezultatet tuaja edhe në të ardhmen.

Ne do të jemi me ju edhe në të ardhmen. Ju lutem edhe juve të jeni me ne, sikurse kolegët tuaj-ish-studentë tanë, që sot kanë ardhur të ju nderojnë juve. Ju priftë e mbara për gjithmonë!

KOMENTE