Takimin e parë në margjina të Forumit Strategjik të Bledit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e pati me Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq dhe me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Gordon Grliq Radman, me të cilët diskutoi për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet të dy vendeve dhe mundësitë e intensifikimit të këtyre marrëdhënieve.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë për bashkëpunimin e mirë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë ndaj Republikës së Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit. Ai shprehu falënderimin e sinqertë për ndihmën që Republika e Kroacisë ua dha bashkatdhetarëve tanë, pas aksidentit tragjik në afërsi të qytetit Slavonski Brod, ku humbën jetën dhjetë bashkatdhetarë të cilët udhëtonin nga Gjermania për në Kosovë. Po ashtu, e falënderoi për donacionin prej 10 mijë dozash të vaksinës anti-covid, që qeveria kroate ka ndarë për Kosovën në shenjë miqësie.
U bisedua për fushat e bashkëpunimit bilateral që do të sigurojnë ringjallje më të shpejtë nga kriza e shkaktuar si rezultat i pandemisë COVID 19, duke përfshirë ngritjen e investimeve si dhe shkëmbimeve ekonomike e tregtare.
Kryeministri Plenkoviq ritheksoi mbështetjen e plotë të Kroacisë dhe gatishmërinë për të vazhduar përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimit në BE dhe NATO. /2LONLINE.com/