Duke përkujtuar jetët e humbura të grave dhe vajzave, si pasojë e dhunës në baza gjinore, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri hapjen e fushatës 16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore ndaj grave dhe vajzave.
Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private. Është çështje e sigurisë publike, shoqërore e kombëtare, e mbrojtjes së jetës si e drejtë njerëzore fundamentale, tha kryeministri Kurti.
Ai u bëri thirrje të gjithë burrave që të jenë model në shtëpi dhe në punë, të ngrisin zërin krah për krah me gratë për barazinë gjinore dhe kundër dhunës me bazë gjinore.
Shënimi i 25 Nëntorit, hapja e fushatës së 16 Ditëve të aktivizmit, është thirrje për bashkëpunim më të thelluar mes nesh, për të dëshmuar zero tolerancë për dhunën ndaj grave dhe vajzave, për të fuqizuar zinxhirin institucional që funksionon me këtë renditje: përgjigje institucionale në parandalim, mbrojtje dhe trajtim të rasteve të dhunës ndaj grave, vënie të drejtësisë së munguar, shërbime të shpejta dhe cilësore për çdo rast të dhunës ndaj grave, llogaridhënie institucionale, për të shpëtuar jetën e çdo gruaje apo vajze, pa dallim moshe a etnie, tha kryeministri Kurti.
Prandaj, kryeministri theksoi domosdoshmërinë për të rritur kapacitetet e institucioneve të sigurisë, duke insistuar në krijimin e departamenteve të posaçme për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave, me burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare, për të rritur masat e sigurisë dhe për të trajtuar me urgjencë dhe në afate kohore, që shpëtojnë jetën, duke krijuar ambient të sigurt.
Ai ritheksoi domosdoshmërinë e programeve për fuqizim ekonomik për të mbijetuarat e dhunës në familje, që gratë t’i largojmë nga cikli i dhunës, dhe t’i ndihmojmë që nga viktima të lëvizin në individë të lirë dhe të pavarur, që marrin vet vendime për të ardhmen e tyre.
Duke bërë thirrje për gratë që të kenë më shumë solidaritet gjinor, kurse burrat më shumë emancipim për barazinë gjinore, kryeministri theksoi se përkushtimi institucional e shoqëror për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, vazhdon çdo ditë. /2LONLINE.com/