Kreu i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, përmes një deklarate për media pas takimit me bllokun opozitar ka bërë të ditur se nuk është arritur marrëveshja. Kurti ka thënë se do të ketë edhe një takim tjetër me liderët e bllokut opozitar LDK, AAK, NISMA, por në rast se sërish nuk arrijnë marrëveshje, atëherë “Vetëvendosje” nuk do ta votojë propozimin e bllokut për kryeparlamentarin.
Deklarata e plotë e Kurtit:
“Sot e patëm takimin e radhës dhe mund të them që përafrimet e mëhershme nuk kanë avancime të mëtutjeshme dhe ekziston një shpërputhje midis dakordimeve verbale deklarative në takimet më herët dhe gatishmërisë për t’i vënë këto në letër si tekst të shkruar dhe për t’i nënshkruar në fund. Pra, mund të them që ka ngecje sa i përket përafrimeve të mëtutjeshme, të cilat do të mund të shpien në një marrëveshje dhe nuk ka marrëveshje me koalicionin LDK-AAK-Nisma ende. Përderisa e kemi këtë situatë, Lëvizja “Vetëvendosje” nuk mund ta votojë dhe nuk do ta votojë propozimin, procesverbalin në Kuvendin e Republikës, në seancën konstituive të së enjtes, përkitazi me kryeparlamentarin. Pra, së pari ne duam një marrëveshje të plotë dhe së dyti vetëm kur realizohet kjo marrëveshje e plotë ne do të mund të kalojmë tek votimet e deputetëve tanë në Kuvendin e Republikës, përkatësisht në seancën konstituive”. “Pra, sa i përket përafrimeve ka ngecje dhe rrjedhimisht nuk ka marrëveshje. Do të ketë edhe një takim tjetër por tash për tash kjo është situata. Besoj që në këtë gjendje jemi për shkak të shpërputhjes midis deklarimeve dhe dakordimeve verbale në takimet e mëhershme dhe në anën tjetër marrëveshjet si tekst i shkruar për të cilat kanë ngecur përafrimet”.