Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, nuk e ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, në shtator ose tetor, ndërsa ka theksuar se VV është e gatshme për zgjedhje edhe tashti.
“Ne jemi gjithmonë të gatshëm për zgjedhje dhe do të jemi të gatshëm edhe tash që nuk kemi fituar ende, edhe atëherë kur do të fitojmë sepse besojmë që është tepër rrallë që një herë brenda katër viteve të kemi zgjedhje në Kosovën e cila po vlon nga problemet nga më të ndryshmet. Pra, ka shumë mundësi që në shtator ose tetor do të kemi zgjedhje të reja dhe Lëvizja Vetëvendosje! në këto do të hyjë më e fuqishme si asnjëherë më parë. Në të njëjtën kohë mund të them që gjatë kësaj periudhe ne kemi punuar edhe me këtë koalicionin LDK, AAK, Nisma të cilët duket se do të garojnë bashkë. Pra, do t’i kemi tri pole në zgjedhjet e ardhshme. PDK’në si partinë pushtet, si parti shtet, me satelitët e saj, LDK’në, AAK’në dhe Nismën në njërën anë dhe Lëvizjen Vetëvendosje! si poli i tretë, i cili do ta ketë bashkëpunimin me disa prej sindikatave”, ka thënë lideri i Vetëvendosjes!, Albin Kurti për RTSH-në.