Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në mbledhjen e parë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian të Qeverisë së Kosovës.
Në fjalën e hapjes, kryeministri Kurti tha se Këshilli Ministror për Integrim Evropian është themeluar si strukturë koordinuese ndër-institucionale, që do të shërbejë si forum i fokusuar për të diskutuar për reformat e rëndësishme, që kërkojnë qasje dhe bashkëpunim ndër-institucional, vëmendje dhe drejtim politik.
Një nga përfitimet direkte e të qenit në proces të integrimit në Bashkimin Evropian, siç tha kryeministri, është edhe skanimi dhe pasqyrimi i punës që na bëhet nga Bashkimi Evropian, në secilën fushë e për çdo vit. “Kjo në fakt e lehtëson shumë punën tonë, por edhe punën time, sepse e kam më të lehtë të shoh progresin dhe të kërkoj përgjegjësi nga secili prej jush aty ku ka dështime e vonesa”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se pret që kërkesat dhe kriteret që dalin nga procesi i integrimit në Bashkimin Evropian për vendin tonë, në kuptimin e standardeve që duhet arritur dhe plotësuar, të trajtohen me seriozitetin e duhur dhe me përkushtimin e nevojshëm.
“Në aspiratat tona shtetërore për të qenë një shtet i zhvilluar, me ekonomi të qëndrueshme dhe vend demokratik ku sundon ligji dhe drejtësia, standardet e Bashkim Evropian duhet të jenë udhërrëfyes”, shtoi kryeministri Albin Kurti.
Në mbledhjen e parë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian të Qeverisë së Kosovës, u shqyrtua plani i veprimit për fazën e dytë të prioriteteve politike në kuadër të procesit të integrimit evropian (përkatësisht Agjendës së Reformave Evropiane – ERA II). /2LONLINE.com/