(2L ONLINE) – Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, së bashku me aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj, morën pjesë në varrimin e Ali Fetahut, i cili vdiq ditë më parë nga acari, në kufirin në mes Serbisë dhe Hungarisë.
“Jemi mbledhur sot këtu bashkë për t’ia dhënë lamtumirën e fundit Ali Fetahut, një burri punëtor e të ndershëm, i cili kontribuoi shumë për Kosovën edhe para sulmit që e la invalid edhe pas sulmit, edhe para luftës, edhe gjatë luftës, edhe pas luftës, bacës Ali, të cilin unë porsa e pashë në fotografi e njoha që e kam takuar edhe në protesta e demonstrata në Prishtinë, pra një njeriu i cili nuk e ka kursyer veten për të mirën e shoqërisë e të kombit tonë”, ka thënë Kurti.
Ai tha se vdekja e bacës Ali është vdekje e dhunshme. Sipas tij këto vdekje me ngrirje në acar i përngjajnë më shumë kohës së luftës sesa kohës së paqes.
“Por, kjo është edhe një dëshmi që për njerëzit e mirë, të ndershëm e të varfër e të zakonshëm të këtij vendi disi lufta ende s’ka përfunduar. Sepse, njerëzit e varfër e të mirë e të zakonshëm para luftës e patën shumë rëndë, gjatë luftës e patën shumë vështirë dhe qe besa edhe pas luftës nuk u bë mirë për ta. Baca Ali ka shkuar për në perëndim atë natë me shpresën që do të gjejë mbështetje për invaliditetin e tij, kurse ne mbesim me shpresë që baca Ali do të jetë viktima e fundit nga radhët e gjata të emigrantëve kosovarë”, ka thënë Kjurti. /2L ONLINE/