“Zonja Mogherini ndoshta juve ju mungon bakgroundi i ngjarjeve dhe të vërtetave historike që u paguan me gjak dhe sakrifica nga shqiptarët e Kosovës e ndoshta nuk keni as përvojën politike që ta dini sesi të veproni me një politikan nacionalist, shovinist sikurse Vuçiqi nën petkun e një pacifisti ku fshihet një radikal i vërtet i cili edhe gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë përdori gjuhën e urrejtjes, kërcënimeve, armëve dhe presionit luftarak duke mos harruar ta paketojë këtë me fjalën PAQE!”, thuhet ndër tjerash në letrën që Faton Kurti, kryetar i Republikanëve të Kosovës ia ka adresuar znj.Mogherini.
Ja përmbajtja e plotë e letrës:
BE-ja duke I lejuar Vuciqit të vizitojë Kosovën është bërë pjesë e gjuhës së urrejtjes zbukuruar me fjalën paqe!
E nderuara zonja Mogherini, të nderuar komisionerë të BE-së.
Partia Republikanët e Kosovës, REK dhe unë personalisht prof. Faton Kurti si kryetar i saj po ndjekim me shqetësim zhvillimet e fundit në Bruksel dhe ato në Kosovë lidhur me negociatat për një marrëveshje të mundshme Serbi-Kosovë. Megjithë vajtje-ardhjet e politikanëve serbë dhe shqiptarë në Bruksel gjykoj se bisedimet e deritanishme i kanë shërbyer vetëm shtimit të presionit dhe gjuhës së urrejtjes dhe aspak njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë që duhet të jetë edhe qëllimi final i këtyrë bisedimeve.
Pasiqë ne kemi një qeveri marionetash dhe të paaftë të marrë vendime në të mirën e vendit dhe për ta mbrojtur sovranitetin, BE-ja bëri një gabim shumë të madh kësaj radhe të mbështesë ardhjen e Vuçiçit në Kosovë i cili erdhi këtu vetëm për të na provokuar me fjalimin e tij për ta riokupuar Kosovën dhe duke thënë se “serbët në të ardhmen do ta duan më shumë sesa kasapin e Ballkanit, Millosheviqin”.
Zonja Mogherini ndoshta juve ju mungon bakgroundi i ngjarjeve dhe të vërtetave historike që u paguan me gjak dhe sakrifica nga shqiptarët e Kosovës e ndoshta nuk keni as përvojënn politike që ta dini sesi të veproni me një politikan nacionalist, shovinist sikurse Vuçiçi nën petkun e një pacifisti ku fshihet një radikal i vërtet i cili edhe gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë përdori gjuhën e urrejtjes, kërcënimeve, armëve dhe presionit luftarak duke mos harruar ta paketojë këtë me fjalën PAQE.
Në të kaluarën ne jemi ngopur me marrëveshje paqësore të cilat në fakt nuk sollën paqe por represion dhe masakra. Mos harroni në të kaluarën Milloshevici ka nënshkuar të gjitha marrëveshjet paqësore ndërkombëtare që i janë vënë nëpër tavolinat e kancelarive të Europës dhe SHBA por kjo nuk e pengoi atë që me një dorë të nënshkruante paqen me dorën tjetër të urdhëronte masakra të padëgjuara kundër popullsive civile të të gjithë Ballkanit, kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë.
Nëse Europa e ka harruar se kush ështëmentori shpirtëror dhe politik i Vuciqit ne shqiptarët kurrë nuk e harrojmë. Gjuha që Vuciqi përdori në Kosovë këtë fundjavë ishte e njëjtë me planin politik dhe nacionalist të Milloshevicit duke mbjellë ndarje dhe gatishmëri për konflikt të armatosur.
Vuçiq, ish ministri i propagandës së Millosheviçit nuk mund dhe nuk ka vullnet të njohë një Kosovë të lirë në kufijtë e vet pa maksimalizuar përfitimin e tij personal dhe të Serbisë dhe ku reciprociteti nuk ekziston pasi ende ai na emërton krahina Kosovo e Metohija dhe as e ka në plan të njohë genocidin etnik të kryer ndaj shqiptarëve përkundrazi luan teatër me hatërmbetje adoleshenteske.
Nëse BE dhe faktori ndërkombëtar do ti japin dorë të lirë zbatimit të këtyre politikave tërepresionit dhe avancimit të idesë së ndarjes së Kosovës jo vetëm marrëveshja Serbi – Kosovëështë e rrezikuar por në rajon nuk do të ketë paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Lojërat në kurriz të popujve të Ballkanit nga politikanë aventurierë duhet të marrin fund dhe që nga pala serbe nuk ekziston asnjë vullnet për njohjen e Kosovës u vërtetua në fjalimin e shumëparalajmëruar të Vuciq kur ai tekstualisht deklaroi: “Javëve të fundit dikush thotë se ne duhet ta njohim Pavarësinë e Kosovës, por mund tua them se kjo është gënjeshtër e hapur, kjo nuk do të ndodhë”.
Pra, ky deklarim është një zotim i hapur dhe deklarativ i Presidentit serb Vuciq se nuk ka ndërmend ta njohë Kosovën. Atëherë për cfarë kompromisi po diskutohet tash e ca vite?!
Kërkoj zyrtarisht nga ju znj.Mogherini dhe instuticionet e BE-së që të pezullohen bisedimet për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë me këtë klasë politikanësh që janë të aftë vetëm për lojëra ballkanike e për të cilët “krijimi i krizave është brand”.
Si Serbisëashtu edhe Kosovës i duhet një politikë e re që merr përgjegjësi për të kaluarën por nuk e reflekton atë në të ardhmen.
Ne Republikanët ndonëse nuk jemi ende një parti parlamentare,aksionet dhe konceptet tona politike tashmë janë kthyer në veprime dhe rezultate konkrete të bashkëpunimit dhe dialogut të sinqertë me Republikanët e Serbisë dhe kryetarin e saj Nikola Sandulovic, veprime të cilat po i rendis shkurtimisht më poshtë
• Vizita ime zyrtare si Republikan i Kosovës në Beograd nëDhjetor 2015(në një kohë që as sot nuk lejohet asnjë politikan i Kosovës të shkelë në Serbi).
• Njohja që z.Sandulovic i bëri Kosovës para mediave serbe në Beograd
• Kërkimi I faljes nga ana e tij, për krimet që policia dhe ushtria serbe kanë bërë ndaj popullatës civile shqiptare
Duke e njohur sovranitetin reciprok të dy shteteve tona, Republikanët e Serbisë dhe Kosovës kemi krijuar një platformë bashkëpunimi dhe dialogu me inisiativën tonë të lirë, pa hallkat e pushtetit dhe pa shtytje të ndërkombëtarëve, bazuar vetëm mbi vokacionin e vërtetë të politikanëve që shohin të ardhmen e Ballkanit me vizion dhe përtej dallimeve racore.
Por ky dialog nuk do mund të bëhej realitet pa njohjen e Kosovës si shtet Sovran dhe pavarësisë e saj dhe pa ndëshkimin e kriminelëve të luftës.
Vetëm politikanët e pakorruptuar dhe me vizion për të ardhmen nga të dy vendet, mund ti cojnë përpara këto procese kaq jetike për Serbinë dhe Kosovën. Bazuar mbi pastrimin e historisë së të kaluarës, drejtësinë dhe kontributin e të dy palëve për të ndërtuar paqen dhe për të mundësuar zhvillimin e të dy vendeve në rrugën drejt integrimin europian.
Kërkojmë që në këto kushte BE-ja të mbështesë alternativat e reja politike në Serbi dhe Kosovë e të mos humbasë kohë me këta politikanë të cilët i kanë kushtuar shumë të dy vendeve por edhe institucioneve ndërkombëtare.
Prof. Faton Kurti
Kryetar i Republikanët e Kosovës, REK