Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë sot homazhe te varri i heroit Agron Rrahmani.
Duke vlerësuar lart figurën e tij, kryeministri Kurti tha se Agron Rrahmani bashkë me Bahri Fazliun, sikurse edhe më herët Afrim Zhitia e Fahri Faziliu, ishin luftëtarë çlirimtarë të cilët ranë në betejë të drejtpërdrejtë me forcat armike, e që paraprakisht ishin veprimtarë politikë, ndërkaq sot janë dëshmorë të kombit.
“Agroni, sikurse edhe të gjithë shokët e tij nuk e duronin padrejtësinë, pabarazinë, shtypjen, shfrytëzimin dhe u angazhuan tërë jetën e tyre për çlirimin e vendit dhe bashkimin e kombit”, tha kryeministri Kurti.
Deklaratë e Kryeministrit Kurti pas homazheve te varri i heroit Agron Rrahmani:
Agron Rrahmani, bashkë me Bahri Fazliun, sikurse më herët Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, ishin luftëtarë çlirimtarë, të cilët ranë në betejë të drejtpërdrejtë me forcat armike. Ata paraprakisht ishin veprimtarë politikë, ndërkaq sot janë dëshmorë të kombit.
Agroni, sikurse edhe të gjithë shokët e tij, nuk e duronin padrejtësinë, pabarazinë, shtypjen, shfrytëzimin dhe u angazhuan tërë jetën e tyre për çlirimin e vendit dhe bashkimin e kombit.
Agron Rrahmani është frymëzuar prej veprimtarëve që i kanë paraprirë, ndërsa sot është pjesë e lavdishme e historisë sonë, e cila përbën edhe themelet e institucioneve tona, por, në të njëjtën kohë, tregon rrugën se kah ato duhet të vazhdojnë për t’u zhvilluar.
Historia e kombit tonë përbëhet nga dëshmorët, kurse ardhmëria jonë varet nga besnikëria ndaj tyre.