/2L ONLINE/ – Ramadan Kurti që me profesion është aktor i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, e ka vlerësuar të rëndë gjendjen në këtë institucion të kulturës, ndërkohë që në mënyrë kronologjike i ka përmendur, sipas tij, zhvillimet negative që kanë ndodh në sektorin e kulturës në Gjilan, prej se kur u vendos të shuhet Drejtoria e Kulturës dhe kjo sferë të funksionojë me njësi dhe task forca e deri te zhvillimet më të fundit, rreth drejtorit të teatrit, i cili nuk u zgjodh, pasi konkursi u anulua, duke bërë që me muaj ky institucion të jetë pa drejtor, e për rrjedhojë akumulohen edhe probleme të tjera.
Kurti këto deklarime i bëri nga selia e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, ku ka komentuar gjendjen aktuale në kulturë, me theks të veçantë në teatër. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje i pranon dhe i vlerëson të gjitha ato punë të mira që janë bërë deri më sot, në sektorin e kulturës, por janë edhe kritik të ashpër ndajë mospunës dhe mos veprimit institucional, sidomos ndaj teatrit të qytetit.
Kurti ka thënë se gjendja në teatër është e rëndë dhe ai ka vlerësuar se ishte absurd momenti kur u bë shuarja e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport. Ai tha se Gjilani me mbi 100 mijë qytetarë dhe si qytet i kulturës, të mos e ketë këtë institucion është e pakuptueshme, kur kemi edhe komuna më të vogla, si Hani i Elezit, Kaçaniku, Vitia…, që i kanë ato drejtori.
Po ashtu për të ka qenë e pakuptimtë edhe bordet, njësitë, si dhe task forca, që janë krijuar për sektorin e kulturës dhe teatrit që nuk sollën zgjidhje përveç aktorët mbeten me muaj pa rroga, dhe më skandaloze shpallet konkurs për punëtorë-aktorë. E sipas tij nga kjo “përfituan”se shkuan gjashtë aktorë të cilët u larguan dhe erdhe tre të tjerë. Por, kur është në pyetje ky konkurs për aktorë, Kurti ka qenë edhe vet kritik, sepse aktorët nuk është dashtë, sipas tij, ta pranojnë konkursin.
Sido që të jetë, u bë konkursi u pranuan 12 aktorë, por që sipas Kurtit nuk është bërë një zgjidhje, siç mendohet në opinion. Ai tha se teatri më se gjashtë muaj është ishte pa drejtor dhe aktorët e pranuar, morën vetëm pagën e qershorit. Tani ai tha se pas caktimit të një ushtruesi të detyrës së drejtorit duket të jenë nënshkruar edhe dy paga.
E, kur jemi te anulimi i konkursit për drejtor të Teatrit, Kurti fajëson Këshillin Drejtues për mos zgjedhjen e drejtorit. Ai tha se ka lejuar që më se dy muaj të zvarritet kjo çështje. Ai tha se nuk e kupton pse kur ishin katër konkurrent për drejtor erdhi deri te anulimi i konkursit e jo të zgjidhet njëri nga ta.
Duke iu referuar sqarimeve në publik, ai tha se është dashtë të zgjidhet një drejtor, nuk është dashtë të kërkohet konsensus por të votohet.
Kurti tha se vetë është ithtar i konsensuseve por kemi plotë rast kur as për çështje ma madhore se zgjedhja e një drejtori nuk është gjetur konsensus mes palëve dhe po ashtu duke e ditur se anëtarët e Këshillit kanë qenë tek në numër, është dashtë të votohet dhe ti dërgohet kryetarit një emër.
Kur jemi te përfoljet për ndikim politike në anëtarët e Këshillit, Kurti ka kërkuar që ata publikisht të deklarohen për këtë çështje, e jo kuluareve. Anëtarët e këtij Këshilli publikisht duhet të dalin e të deklarohen për presionet politike nëse i kanë pas, sepse ato janë të papranueshme edhe për atë si aktor, por edhe për Lëvizjen Vetëvendosje.
Ndërkohë, i pyetur se pse nuk mori pjesë në një protestë të fundit të disa kolegëve të tij, para selisë së kryetarit të komunës, pikërisht kundër ndërhyrjeve politike, Kurti tha se nuk mbron interesat personale të askujt dhe se nuk ka marrë pjesë në atë protestë sepse e ka vlerësuar të paefektshme, për shkak se konkursi veçse ishte anuluar, dhe do të vinte një u.d i drejtorit të Teatrit, dhe se ai nuk ka dashtë që në atë protestë të dal vetëm si statujë sa për t’u fotografuar, nëse nuk do të mund të ndikonte për të ndryshuar diçka, dhe se për këtë u ka treguar edhe kolegëve protestues se nuk do të dal në një protestë të paefektshme. Ai kështu i mohoi zërat se ka qenë i ndikuar apo i frikësuar.
Ndryshe, Kurti ka thënë se Vetëvendosje kërkon që teatri të funksionojë sa më parë ashtu siç duhet dhe se asaj përveç që i nevojitet një drejtor i mirë, i nevojitet po ashtu edhe një drejtor artistik. Gjilanasit kanë nevojë për një teatër të fuqishëm. /2L ONLINE/