Sot, në selinë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje, i nominuari për Kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me nënkryetarin e Lëvizjes, Dardan Sejdiu, pritën në takim Ambasadorin e Kanadës në Kroaci, Daniel Maksymiuk.
“Fillimisht në këtë takim, ambasadori Maksymiuk, uroi Vetëvendosje -n për suksesin në zgjedhjet e 11 qershorit. Ndërkaq, Kurti dhe Sejdiu shprehën mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e Kanadasë për Kosovën, prej pranimit të refugjatëve shqiptar gjatë luftës e deri te njohja e pavarësisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën Vetëvendosjes.
Më pastaj, përgjatë takimit, u bisedua për situatën politike në Kosovë dhe sfidat për krijimin e qeverisë së re. Në veçanti u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen, midis Kosovës dhe Kanadasë.
Në fund të këtij takimi të përzemërt, të dyja palët u dakorduan për të vazhduar komunikimin, për takime të tjera në të ardhmen dhe për shtim të bashkëpunimit, përfundon komunikata e Lëvizjes Vetëvendosje.