Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e 44-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ndër tjerash ka folur edhe për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.
“Në vjeshtë do të jenë zgjedhjet lokale në Kosovë. Data është caktuar: 17 tetori. Është detyra jonë, e të gjithë neve, që në këto zgjedhje të punojmë sa më pranë me qytetarët, për të fituar mundësisht pa balotazh. Gjasat i kemi të mëdha thuajse në të gjitha komunat. Duhet t’ia mësyjmë e t’i fitojmë 3/4 e komunave”, ka thënë Kurti
Ai shtoi se qytetarët duhet ta përjetojnë qeverisjen e mirë, që sjell rregull e zhvillim urban, që sjell investime dhe punësim, sidomos në nivel lokal. Por, për këtë na duhet punë dhe angazhim i madh. Zgjedhjet lokale që patëm në dimrin e shkuar në Podujevë, na e dhanë sinjalin e parë, aty fituam pa balotazh. Por punuam shumë, dhe e patëm kandidatin e përshtatshëm e të mirë. Njësoj duhet të veprojmë edhe tani.
“Në këto zgjedhje lokale jo vetëm që jemi të gatshëm, por edhe synojmë, që të bashkëpunojmë me Listën GUXO, sikurse për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. Kemi dëshmuar sinqeritet e seriozitet me punë e aktivizëm të përbashkët, një model suksesi përmes efektit sinergjik, të cilin e kemi për detyrë ta kultivojmë e ta forcojmë. Andaj, kontaktoni e komunikoni, takohuni e bashkohuni në terren, duke u angazhuar që të gjithë sa më shumë dhe anembanë Kosovës”, ka thënë tutje kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Ai tha edhe se është e rëndësishme që nëpër qendrat e Vetëvnedosjes të shmangen rivalitetet e brendshme që lidhen me figura apo grupe të caktuara. Kurti shtoi se aktivisti i Lëvizjes nuk duhet të jetë i lidhur me individin, por me idenë dhe programin.
“Aktivisti nuk duhet të kërkojë miqësinë me kryetarin, por miqësinë me qytetarin. Asnjë prej kryetarëve nuk ka për të qeverisur vetëm me miqtë e vet, e asnjë grup shoqëror nuk do të marrë në kontroll asnjë qendër apo komunë. Prandaj fushatat negative duhet të ndalen, ashtu siç duhet të ndalen edhe vetëshpalljet publike apo vetëkandidimet pompoze, si dhe pretendimet që dikush ka mbështetje nga niveli i tretë apo nga kryesia e Lëvizjes”, ka thënë Kurti
Sipas tij, mbështetja jepet vetëm në mënyrë statutore, demokratike dhe institucionale, nuk është mbështetje një fotografi apo një takim diku me ndokënd.
“Pushteti nuk duhet të na ndryshojë, por për të mos rënë pre e ndryshimit, duhet t´ia kujtojmë vetes vazhdimisht idealet tona, dhe sakrificat e dëshmorëve. Ne duhet të jemi vazhdimisht syhapur, dhe të sinjalizojmë parregullsitë në raport me qeverisjen dhe administratën, siç janë edhe qytetarët në vendet e zhvilluara evropiane e perëndimore. Vetëm ashtu do të mund ta zhvillojmë e fuqizojmë vendin tonë”, ka thënë Kurti. /2LONLINE.com/