Kandidati për kryetar të Gjilanit, Sami Kurteshi, e ka hapur tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë qytet duke theksuar nevojën për ndryshim. Ai ka potencuar se ky ndryshim mundësohet nga një program i mirëfilltë, për të cilin tha se VV e ka prezantuar nëpër takimet e tubimet e shumta në gjitha lagjet e fshatrat e Gjilanit.
“Prioriteti numër një është se do t’ia heqim kundërmimin Gjilanit me sistem kanalizimesh dhe impiantesh moderne. Ky është prioriteti ynë kryesor, pasi ky është shqetësim i të gjithëve banorëve të komunës tonë, është shqetësim i imi dhe i juaji, në lagjet e qytetit dhe në fshatrat e Komunës së Gjilanit”, tha që në fillim të fjalës së tij Kurteshi, duke premtuar tutje investim prej 10 milionësh për zgjidhjen e kësaj çështjeje, konkretisht ndërtimin e 5 impianteve nëntokësore për përpunimin e ujërave të zeza në fshatra dhe 5 të tjerave në lagjet e qytetit të Gjilanit, mbi të cilat do të ndërtohen parqe me gjelbrim, e do të mbillen drunj e lule”, tha Kurteshi.
Si prioritet i dytë, Kurteshi tha se është që Gjilani të bëhet komunë për të ardhmen, pra fëmijë e të rinjët, me ç’rast shprehu zotimin për nëdertimin e dy shkollave të reja, katër çerdheve, pesë parqeve dhe 10 terreneve sportive në lagjet e fshatrat e Gjilanit.
“Prioriteti ynë i tretë është transporti publik i standardizuar. Ne do të investojmë 4.8 milion euro që ta modernizojmë transportin publik në Gjilan, dhe që t’i lidhim fshatrat me qytetin me autobusë modernë me standarde të larta evropiane. Plani im qeverisës dhe i Lëvizjes Vetëvendosje për rregullimin dhe standardizimin e transportit publik do t’i lidhë 95% të fshatrave të Gjilanit me qytetin, si dhe do të shërbejë edhe për transport mes lagjeve. Mobiliteti urban është hap i madh drejt zhvillimit. Autobusët do të kenë orare fikse, të parashikueshme dhe do të jenë të rinj. Një linjë do t’i ketë 3 autobusë, e në Komunën e Gjilanit do të jenë 7 linja” është zotuar Kurteshi më tutje.
Ai ka shpjeguar secilën nga këto linja. Në prezantimin e tyre, ai tha se linja e parë do të jetë nga Karadaku, prej Stançiçit nëpër Shurdhan, Haxhaj, Zhegër, Lladovë, Llashticë e në Gjilan. E dyta nga Petroci (Petriti), Mireshi (Dobërçani), dhe Verbicë, Kmetoc, Përlepnicë e në Gjilan. E treta nga Bilinica, Pograxha, Uglari, Malisheva e në Gjilan. E katërta nga Gumnishta, Kravarica, Vrapçiqi, nëpër Cërnicë, Livoç i Poshtëm, e në Gjlan. Linja e pestë nga Zhegovci (Verbica e Zhegovcit), Bresalci, nëpër Livoç të Epërm, Pasjak, e në Gjilan, kurse e gjashta nga Kishnapola, Gadish, Ponesh, nëpër Livoç i Poshtëm, e në Gjilan. Si dhe, linja nr. 7 nga Muçibaba nëpër Pasjan, Velekincë, Gjilan.
“Këto janë tre prioritetet tona kryesor: uji i pastër, shkolla me dije dhe transporti publik, të cilat së bashku janë investime prej 20 milionë eurosh. Ne e kemi mundësinë, i kemi mjetet, dhe unë e kam përvojën dhe kontaktet e duhura për t’i siguruar këto investime, që do ta zhvillojnë të gjithë Gjilanin, dhe asnjë banor i Komunës së Gjilanit nuk do të mbetet pa u prekur nga ky zhvillim”, tha po ashtu Sami Kurteshi.
Kurteshi theksoi po ashtu se vendimi i tij i parë si kryetar do të jetë ndarja nga 100 euro për secilën nënë që lind fëmijë në Komunën e Gjilanit, si ndihmë për të përballuar shpenzimet e një lindjeje dhe dhuratë që Komuna ia bën një qytetari të ri të sapolindur në këtë komunë. E, më tej, u zotua për bashkëpunim të ngushtë me mërgatën, duke u zotuar se gjatë mandatit e tij do të krijohet një Zyra Komunale për bashkëpunimin me mërgatën.
“Po ashtu, plani jonë zhvillimor mendon edhe për fermerët, blegtorët, bujqit, pemëtarët, bletarët gjilanas. Ne do ta rindërtojmë tregun e gjelbër, të modernizuar. Prodhuesit tanë gjilanas, nga fshatrat e Gjilanit, do të kenë mundësi të vijnë çdo ditë që të shesin prodhimet e tyre. Tregu i ri i gjelbër, do të jetë me kushte higjienike e me standarde teknik e estetike të pakrahasueshme, që edhe të huajt do të vijnë të bëjnë foto aty, aq bukur do të duket, e jo si tani të turpërohen me gjendjen e mjerueshme”, ishte zotimi tjetër i Sami Kurteshit për Gjilanin.
Në fund, ai ka ftuar gjithë qytetarët pa dallim që në ditët e mbetura të angazhohen për ndryshim me 19 nëntor.
Sponsorizuar nga Vetëvendosje