Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka prezantuar të shtunën, siç tha, planin e kësaj Lëvizjeje për zgjidhjen e një problemi të madh në Komunën e Gjilanit, që është problemi i ndotjes nga ujërat e zeza.
Kurteshi ka thënë se Komuna e Gjilanit nuk ka asnjë rrjedhë natyrale të pa ndotur. “Projekti që kemi do ta zhdukë përfundimisht ndotjen dhe erën e keqe dhe njëkohësisht do të sjellë në komunën e Gjilanit një investim prej 10 milion eurosh. Por për ta bërë këtë realitet na duhet vota e të gjithë qytetarëve që janë lodhur nga Lidhja dhe që duan ndryshim. Pra na duhet mbështetja e votuesve të të gjitha subjekteve pa dallim, dhe kushdo që e do ndryshimin në Gjilan”, ka thënë Kurteshi.
Ai tha se Gjilani ka mbetur i vetmi qytet i madh pa kanalizime të rregulluara dhe pa përpunim të ujërave të zeza. 17 vite pas çlirimit, pushteti lokal nuk e ka zgjidhur këtë problem të madh, që i vjen era çdo prroske, në çdo fshat a lagje qyteti.
Kurteshi ka thënë se askush nga kryetarët e shkuar nuk e pranon fajin për këtë, e as ky aktuali, por se , siç tha Kurteshi, atij nuk i intereson kush e ka fajin, pasi si kryetar i ardhshëm do të jetë këtu për zgjidhjen e problemit e jo për t’ia lënë fajin dikujt.
“Pas konsultimeve me ekspertë dhe inxhinierë ndër më të mirët në Kosovë ne e kemi një plan të integruar dhe përfundimtar për çështjen e ndotjes nga ujërat e zeza në Gjilan. Ky plan përfshin ndërtimin e rrjeteve të kanalizimeve në të gjitha fshatrat e lagjet e qytetit, si dhe ndërtimin e impianteve të përpunimit të ujërave të zeza”, ka thënë tutje Kurteshi.
Sipas tij, këto impiante do të jenë nëntokësorë, dhe do të prodhojnë ujë të pastër, që mund të përdoret për ujitje bujqësore.
Kurteshi ka thënë se gjeografia e Komunës së Gjilanit ndahet në 5 gryka, luginat përmes të cilave vijnë këto ujëra në qytet. Duke respektuar formacionin gjeografik, në qeverisjen e Vetëvendosjes do të ndërtohen 5 impiante të përpunimit të ujërave të zeza, nga një në secilën grykë, dhe këto impiante do të mbledhin kanalizimet prej të gjitha fshatrave.
Po ashtu, Kurteshi ka thënë se do të ndërtohen 5 impiante të tjera në periferi të qytetit, të cilat do të gravitojnë kanalizimet nga të gjitha lagjet e qytetit. Pra do të jenë 10 impiante. Secili impiant do të ndërtohet bashkë me strukturën moderne të kanalizimeve.
“Një impiant do të funksionojë për një territor me rreth 10.000 banorë, kështu që me 10 impiante ne do ta mbulojmë gjithë territorin me rreth 100.000 banorë që e ka Gjilani. Kemi marrë vendimin të ndërtojmë impiante të tilla, të vogla, sepse kjo është teknologjia që po përdoret sot në të gjitha qytetet evropiane me përmasa të tilla. Këtu janë premtuar impiante të mëdha, por ato kushtojnë sa trefishi i projektit tonë, e nga ana tjetër, nuk funksionojnë ashtu siç duhet. Pra do të jenë 10 impiante, dhe 10 rrjete kanalizimesh të reja”, ka thënë Kurteshi.
Sipas tij, i gjithë sistemi do të kushtojë 10 milion euro, dhe këto para do të mbulohen nga tre burime: buxheti i komunës, përkatësisht investimet kapitale; qeveria e Kosovës, përkatësisht grantet për zhvillim lokal; si dhe donatorët e huaj, me të cilët, siç tha ia, “jemi në kontakt dhe do të kemi marrëdhënie të mira”.
Kurteshi ka shpjeguar se ato impiante do të jenë nëntokësore, dhe sipër tyre do të ndërtohen parqe e lulishte, me ambiente të gjelbëruara e lojëra për fëmijë. Ato parqe do t’ia shtojnë bukurinë Gjilanit dhe do të menaxhohen nga një kompani publike e hortikulturës. Në secilin park do të mbillen 500 drurë, e në total do t’i mbillen 5000 drurë dekorativë në komunë.
“Parqet do të gjenerojnë të ardhurat e tyre, me shitjen e luleve e të fidanëve, dhe do të ketë nga 10 të punësuar për secilin park, në total 100 të punësuar. Pra me planin tonë zgjidhet përfundimisht çështja e ujërave të zeza në Gjilan, dhe Gjilani nga qytet i ndotur do të bëhet qytet I pastër e i gjelbër, në mbrojtje e në përputhje me normat mjedisore evropiane”, ka thënë Sami Kurteshi, kandidati i Vetëvendosjes që në garën e balotazhit do të garojë për kryetar të Komunës së Gjilanit.