(2L ONLINE) – Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Gjilan të mërkurën është bërë nëntë vjeçe ndërsa në këtë përvjetor të saj, drejtuesit e kësaj Lëvizjeje kanë vlerësuar se përgjatë kësaj periudhe ka qenë një veprimtari e vrullshme e Vetëvendosjes në Gjilan e cila tani ka rezultuar edhe me përkrahjen e madhe të qytetarëve.
E nisi në gusht të vitit 2005, me aksione, performanca të ndryshme e protesta në rrugë ndërsa tani pas nëntë vitesh, Vetëvendosje në Gjilan ka katër këshilltarë komunal në asamblenë komunale të Gjilanit, ka anëtarë të saj nëpër trupa të ndryshme të organeve komunale, ndërsa në zgjedhjet e fundit, tre nga përfaqësuesit e kësaj Lëvizje që kanë fituar ulëse në Parlamenti e Kosovës dhe janë bërë deputet, janë nga Gjilani.
Por, kohëve të fundit ka pas zëra se Vetëvendosje në Gjilan është pasivizuar dhe është përqendruar kryesisht në aktivitetin e saj brenda institucioneve , duke “pauzuar” nga aktivitete e saja jashtë institucionale, karakteristike për një lëvizje të tillë, e cila ka reaguar në forma të ndryshme kundër zhvillime të ndryshme me të cilat nuk është pajtuar.
I pyetur nga Portali 2L ONLINE, rreth asaj se pas nëntë vitesh a është “zbutur” Vetëvendosje deri në tjetërsim, kur kemi parasysh veprimtarinë e saj politike në Gjilan, por edhe në përgjithësi, kreu i kësaj Lëvizje në Gjilan Ismajl Kurteshi ka thënë se ashtu mund të mendojnë vetëm ata që nuk e njohin ose nuk e kanë përcjellë aktivitetin e Lëvizjes, sepse Vetëvendosje vazhdon të veprojë bazuar në parimet themelore dhe programin e saj dhe se ajo tani është fuqizuar dhe ka përkrahjen e madhe të qytetarëve.
Kurteshi ka thënë se asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga parimet bazë të Lëvizjes, programit të saj dhe insistimit për ndryshime që i duhen këtij vendi. Për më tepër, se nuk lëshojnë pe në parime, Kurteshi e ka argumentuar edhe me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë në raport me bllokun e subjekteve politike (LDK-AAK-NISMA), ku sipas tij, përkrahje e Vetëvendosjes është e kushtëzuar dhe se i përkrahin vetëm nëse ata ofrojnë qasje e udhëheqje tjetër e jo siç ishte deri më tani, një mënyrë e dëmshme e udhëheqjes me vendin.
Përndryshe, sipas Kurteshit, Lëvizja Vetëvendosje! si një organizëm politik që nga themelimi i saj, edhe pse fillimisht kishte numër të vogël të anëtarëve, zgjoi interesimin e masave me çështjet që i vinte në pah, me kundërshtimin e proceseve të dëmshme për vendin dhe zgjidhjet që i ofronte.
Kurteshi, që njëherësh është deputet i Parlamentit të Kosovës, ka thënë tutje se kjo Lëvizje ka bërë punë të madhe në vetëdijesimin e qytetarëve për rrjedhat në vend dhe paralajmërimet për dëmet që i shkaktoheshin vendit përmes proceseve të caktuara, të iniciuara kryesisht nga jashtë, por të udhëhequra nga klasa politike e vendit.
“Programi, parimet, afria me masat dhe angazhimi konkret i aktivistëve e bënë Lëvizjen faktor të rëndësishëm politik në vend që ofron perspektivë. Përkrahja për Lëvizjen po rritet edhe në pjesët e tjera të trojeve shqiptare si dhe në vendet tjera. Edhe Qendra e Lëvizjes në Gjilan këto vite ka përjetuar rritje të madhe të përkrahjes. Aktualisht ne jemi forca e dytë politike në Komunë me numër të madh të përkrahësve sidomos nga radhët e të rinjve”, ka thënë Kurteshi. /2L ONLINE/