(2L ONLINE) – Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan në një letër të hapur në adresë të kryetarit të komunës Lutfi Haziri, e ka vlerësuar qeverisjen në Gjilan për iniciativat e mira që i ka ndërmarrë përgjatë kësaj periudhe për sa po e qeverisë Gjilanin, por edhe ia ka numëruar, një për një, të metat e kësaj qeverisjeje.
Ismajl Kurteshi, koordinator i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan ka thënë se kur jemi te të metat e kësaj qeverisjeje, përveç atyre që janë thënë në letrën publike ka edhe shumë të tjera, sa që po të numërohen ato do të bëhej një roman i tërë. Sipas Kurteshit, peshorja dukshëm rëndohet nga ana e të metave.
Përndryshe, Kurteshi ka thënë se në letrën publike drejtuar Hazirit ia kanë përmendur iniciativat e mira, por edhe të metat në këto 9 muaj të qeverisjes me Gjilanin, pasi, siç tha ai, kanë qenë të mjaftueshëm 9 muaj për t’u konsoliduar dhe filluar me punë.
“Nëntë muaj nga ardhja e juaj në krye të Komunës së Gjilanit, është kohë e mjaftueshme jo vetëm për të vënë rend e rregull në administratë, por edhe për të filluar realizimin e projekteve për të cilat qytetarët kanë nevojë. Komuna ka mundësi buxhetore me i realizuar e ju i keni premtuar gjatë fushatës zgjedhore si që janë: Shtrati i lumit Mirusha, që po e rrezikon jetën e qytetarëve, zgjerimi i rrugëve në tri hyrje të qytetit, Varrezat e dëshmorëve, e shumë e shumë projekte të tjera”, thuhet në letrën publike drejtuar Kryetarit Haziri.
Kurteshi, që njëherësh është edhe deputet i Parlamentit të Kosovës ka thënë se disa nga shumë shkeljet e listuara në letrën publike janë përmendur edhe punësimet pa konkurse, punësimet partiake, ndërprerjeve të kontratave para afatit të skadimit, emërime të drejtorëve të shkollave pa kualifikim adekuat, fshehje të vendeve të punës në arsim, dhënie në shfrytëzim të pronave komunale pa asnjë kriter, subvencionimet pa asnjë kriter,
Ai tha se aty përmenden edhe keqpërdorimet gjatë realizimit të kontratave, ku shtresa e asfaltit është 50% më e hollë, në krahasim me atë që është nënshkruar në kontratë.
‘Si punë e mirë në këtë nëntëmujor është cilësuar mos privatizimi i deritashëm ndërmarrjeve të mbetura publike. Duke shpresuar se kjo nuk është vetëm një deklaratë e rastit, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan ju përkrahë në realizimin e këtij synimi, si dhe të gjitha angazhimeve tuaja eventuale, të dobishme për qytetarët e Gjilanit. Pengimin e privatizimit të pronave publike do të duhej ta filloni me objektet e Komunës të ndërtuara përmes partneritetit publiko privat, nga administrata e kaluar, e që janë edhe tani në shitje” ka thënë Kurteshi.
Në letrën drejtuar Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit, janë listuar edhe kërkesat zyrtare që i janë drejtuar Komunës nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendose në Gjilan, e të cilat kanë mbetur pa përgjigje, përfshirë këtu edhe trajtimin e barabartë që duhet t’ua bëjë Komuna subjekteve politike që janë pjesë e Kuvendit Komunal, për sa i përket hapësirave që shfrytëzohen për zyra.
“Nëse nuk i bëni korrigjimet e nevojshme, rastet e lartpërmendura do t’i konkretizojmë, duke publikuar emra, shifra, dhe nenet e ligjeve që i keni shkelur”, thuhet në fund të letrës, ka bërë të ditur Kurteshi i vetëvendosjes.
Sipas itj, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosjes në Gjilan kërkon nga Komuna që të bëhet korrigjimi urgjent i të gjitha shkeljeve të listuara në letër: menjëherë të shpallet konkursi për vendet e fshehura në arsim; që të rishpallet konkursi për drejtorët e pakualifikuar; të identifikohen përfituesit e bursave studentore që nuk kanë ndjekur asnjë procedurë; të mbikëqyren punët që po zhvillohen në projektet që po i financon Komuna; të respektohen procedurat e tenderimit; të respektohen obligimet ligjore në lidhje me komunikimin dhe transparencën; të ndalen ndërtimet pa leje; të paguhet borxhi i trashëguar që Komuna ja ka Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosjes në Gjilan; të respektohet orari i punës dhe të rritet efikasiteti në punë i administratës.
Përndryshe, Portali 2L ONLINE.com, sjell edhe letrën e hapur Kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Hazirit, që ia ka dërguar Lëvizja Vetëvendosje.
Letra në fjalë:
Z. Kryetar, këto ditë jeni deklaruar kundër privatizimit të pronave që duhet të mbeten publike, si prona të komunës. Duke shpresuar se kjo nuk është vetëm një deklaratë e rastit, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan ju përkrahë në realizimin e këtij synimi, si dhe të gjitha angazhimeve tuaja eventuale, të dobishme për qytetarët e Gjilanit. Pengimin e privatizimit të pronave publike do të duhej ta filloni me objektet e komunës të ndërtuara përmes partneritetit publiko privat, nga administrata e kaluar e që janë edhe tani në shitje.
Z. Kryetar, nëntë muaj nga ardhja e juaj në krye të Komunës së Gjilanit, është kohë e mjaftueshme jo vetëm për të vu rend e rregull në administratën që e udhëhiqni por edhe për të filluar realizimin e projekteve për të cilat qytetarët kanë nevojë, Komuna ka mundësi buxhetore me i realizuar e ju i keni premtuar gjatë fushatës zgjedhore si që janë: Shtrati i lumit Mirusha, që po e rrezikon jetën e qytetarëve, zgjerimi i rrugëve në tri hyrje të qytetit, Varrezat e dëshmorëve, etj.
Z. Kryetar, ekzistojnë shumë punë që lidhen me buxhetin, por ka edhe punë në të cilat nuk ndikon buxheti por ato lidhen me vullnetin për punë dhe aftësitë organizative. Bazuar në përvojën nëntë mujore të udhëheqjes suaj, fatkeqësisht po shihet çart se po ju mungojnë edhe njëra edhe tjetra.
Ja disa fakte që e vërtetojnë këtë konstatimin:
Keqpërdorim i pushtetit
Ndërprerja e kontratave para skadimit të afatit si:
Kompanisë që i ka menaxhuar parkingjet e komunës dhe kompanisë së sigurimit fizik të objekteve të Komunës.
Dhënia e parkingjeve të komunës në menaxhim pa i respektuar procedurat.
Ndërrimi i drejtorit të shtëpisë së shëndetit para afatit ligjor, emërimi i të njëjtit shef, jo se ka nevojë shërbimi por kjo vjen si kompromis në të cilën përfshihet edhe vazhdimi i shpërblimit me rrogë të drejtorit.
Punësimet pa konkurs.
Fshehja e vendeve të punës në shkollat e mesme dhe fillore.
Emërimi i anëtarëve të pakualifikuar të komisionit për pranimin e drejtorëve të shkollave.
Emërimi i drejtorëve shkollave, pa kualifikim adekuat.
Emërimi i kryesve të detyrave të drejtorëve, pa konkurs.
Futja në listën e përfituesve të bursave të studentëve emra që nuk kanë fituar bursa.
Pirja e duhanit pothuajse në të gjitha hapësirat publike.
Shkelja e të drejtave të punëtorëve.
Mos respektim i procedurave gjatë dhënies së tenderit për dezinfektim, ( si pasoj ka ndodh rritja e numrit të mushkonjave e dëmtuesve të tjerë, që po ju sjellin probleme shëndetësore qytetarëve).
Transferimi i punëtorëve të arsimit bazuar në përkatësin partiake dhe jo sipas kritereve.
Deri te “thashethemet”, e argumentuara me fotografi, që dëshmojnë se gjatë muajit gusht vetura e juaj zyrtare është pa në Sarandë ose edhe mos respektimi i orarit të punës nga ju dhe shumë vartës të juaj.
Dhënia pa kriter e subvencioneve, mbi shumën që ju lejohet me ligj.
Mos përgatitja me kohë e shkollave për fillimin e vitit të ri shkollor.
Keq menaxhimi:
Mos respektimi i projekteve, në investimet e pakta që po i bëni (harrnim i rrugëve, trashësia e asfaltit rreth 50% më e hollë se që parashihet në projekt).
Sa i dobët është kualiteti i investimeve që nuk po mbikëqyren flet rasti i asfaltimit të rrugës afër shtëpisë tuaj që brenda dy muajve po asfaltohet për herë të dytë, raste të ngjashme hasim çdo kund.
Me rishikimin e buxhetit komunal, zyrës së kryetarit vetëm për mallra dhe shërbime i keni ndarë 350.000 euro kurse shëndetësisë primare që i mbulon shërbimet për 100.000 banor i janë nda vetëm 420.000 euro. Sipas kësaj politike ju i keni fut qytetarët në dijet, e keni pamundësuar shërbimet elementare në shëndetësinë primare, kurse vetit dhe 28 të punësuarve në kabinetin tuaj ju keni dhënë shumë më shumë se që ju takon.
Pas deklaratave pompoze me rastin e vërshimeve, ju jo vetë se nuk i keni përkrahë të dëmtuarit nga vërshimet por ende nuk keni dal me vlerësimin e dëmeve nga vërshimet. Familjeve të dëmtuara ndihma ju është dashur aty për aty. Kjo që po ndodh është dëshmi për mos punë dhe për mungesën e kujdesit për njerëzit në nevojë.
Mos përgjigja në shkresat e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan.
Shkresa datë 17. 01. 2014, nr. protokollit 02.-016-6535 drejtuar ju z. Kryetar, përmes së cilës si subjekt i përfaqësuar në Kuvendin Komunal kemi kërkuar zyre si që i ka subjekti i juaj dhe dega e PDK-së që aktualisht është më pakë e përkrahur në Gjilan se Lëvizja Vetëvendosje.
Në përgjigjen e zyrës suaj përveç tjerash thuhet se komuna e Gjilanit është në procesin e hartimit të listës së pronave komunale, duke përfshi edhe objektet administrative komunale… do t’i kemi në konsideratë të gjitha kërkesat, në mënyrë që dhënia në shfrytëzim e objekteve komunale të jetë konform ligjit.
Z. Kryetar, kanë kaluar tetë muaj që kur e kemi marr këtë përgjigje, shpresojmë që tani më administrata e juaj e ka përfunduar procesin e hartimit të listës së pronave komunale, por ne nuk kemi marr ende përgjigje.
Z. Kryetar, po ua përkujtoj që degët e subjekteve politike LDK dhe PDK i shfrytëzojnë objektet publike nga viti 1999 (shpresojmë në përputhje me ligjin, kjo do të thotë se kanë kontratë me komunën dhe se paguajnë qira, ose mund të ekziston një vendim që komuna i ka liruar nga qiraja këto subjekte, përndryshe ju do të ishit të obliguar të reagoni).
Në ndërkohë Lëvizja VETËVENDOSJE! Dhe disa subjekte tjera po e zhvillon aktivitetin e tyre në kushte shumë të rënda, në zyra për të cilat paguan qira. Ju z. Kryetar e dini që trajtimi i barabartë, i subjekteve politike që janë pjesë e kuvendit, nga ana e institucioneve është obligim ligjor.
Në përgjigjen e datës 3.03. 2014, nr. protokollit 05.061-24792, të drejtorit të DKA-së, z. Nazmi Musa, në shkresën tone të datës 12. 02. 2014, nr. 006/2014, në lidhje me analizat e derivateve të përdorura për ngrohje të shkollave na është përgjigjur: … në lidhje me ngrohjet me derivate të naftës në shkolla dhe analizat e tyre do të ju njoftojmë në seancën e radhës së KK. Nga 3. marsi kanë kaluar shumë seanca të KK-së, ne përgjigje nuk kemi marr ende!
Në Shkresën e datës 17. 01. 2014, drejtuar Kryetarit të komunës, në lidhje me borxhin që Komuna ja ka Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, e këtë e kemi argumentuar edhe me kopjen e vendimit të KK Gjilan, të datës 09. 03. 2011, nr. i protokollit 01. nr. 16/3031. Nuk jeni përgjigjur fare. E lere më ta paguani borxhin.
Në shkresën e 23. 01. 2014, nr. pr. 003/2014, përmes së cilës kemi kërkuar të njoftohemi a do t’i shitni pronat e komunës që pati filluar t’i shes ish – administrata nuk kemi marr përgjigje ende.
Në shkresën e 23. 01. 2014, nr. 02-016-9169 në lidhje me borxhet e trashëguara të komunës, nuk kemi marr përgjigje.
Z. Kryetar shkresa i kemi dërguar edhe drejtorëve të disa drejtorive tjera si p.sh Drejtorisë së Inspekcionit, urbanizmit etj. në lidhje me mos pengimin e ndërtimit pa leje të HIB Petrolit dhe çështje të tjera. Por kryesisht këto shkresa ose kanë përfunduar pa përgjigje ose kemi marr përgjigje që në të vërtet nuk janë përgjigje. Komunikimi me qytetar dhe transparenca janë obligime ligjore dhe nuk lidhen me mungesën e fondeve por me mungesë të vullnetit për punë ose edhe më keq me injorimin e palëve.
Z. Kryetar këto dhe shumë dukuri tjera negative që nuk po i përmendim në këtë letër janë vërejtje serioze që duhet t’i shfrytëzoni për identifikimin e dobësive në qeverisjen që ju e udhëhiqni dhe korrigjimin e tyre.
Qytetarët e Gjilanit kanë nevojë për qeverisje të mirë e jo për fjalë të mëdha që nuk ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Prandaj kërkojmë nga ju më shumë punë, më shumë transparencë, pengimin e dukurive negative dhe trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve.
Korrigjimi urgjent i shkeljeve të lartë përmendura që po i bënë administrata e juaj sidomos në fushën e punësimit dhe tenderimit është e domosdoshme.
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje kërkon nga ju:
Që menjëherë të shpallni konkurs për vendet e fshehura në arsim dhe për të punësuarit në pa konkurs.
Të rishpallni konkurs për drejtorët pa kualifikim adekuat dhe për drejtorët ushtrues detyre, pa konkurs, që ju i keni emëruar.
Të identifikohen ata që futën në listën e përfituesve të bursave student që nuk kanë kaluar përmes procedurave.
Të mbikëqyren punët që po zhvillohen në projektet që po i financon komuna.
Të respektohen procedurat e tenderimit.
Të respektohen obligimet ligjore në lidhje me komunikimin dhe transparencën.
Prioritet në investime të vendosen bazuar në kritereve.
Të pengohen dukurit negative për të cilat është përgjegjëse Komuna, si që janë ndërtimet pa leje të objekteve të mëdha në kundërshtim me planet urbanistike, hapja e kazinove afër shkollave etj.
T’ia paguani borxhin që Komuna ja ka Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, e që ju e keni trashëguar.
Të respektohet orari i punës dhe të rritet efikasiteti në punë i administratës.
Z. Kryetar, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, do të reagoj me mjetet që i lejohen opozitës, sa herë që keq menaxhoni me mjetet e taksapaguesve gjilanas ose keq përdorni pozitën tuaj.
Ju përshëndesim me shpresë se kjo letër sadopak do të ndikoj në përmirësimin e qeverisjes që ju po e udhëhiqni.
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan
Ismajl Kurteshi, koordinator
P. S. Nëse nuk i bëni korrigjimet e nevojshme, rastet e lart përmendura do t’i konkretizojmë, duke publikuar emra, shifra dhe nenet e ligjeve që i keni shkelur.