DYLON

Nënshkruhet marrëveshja për ndërtesa të përbashkëta kufitare Kosovë-Serbi

Avatar photo Redaksia

Sot në Bruksel u arrit dhe u nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e ndërtesave të përhershme të IBM-it, në mes të delegacioneve shtetërore të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, kryenegociatore për implementim në dialogun e Brukselit me ketë raste deklaroi se kjo marrëveshje për ndërtimin e ndërtesave të përhershme të IBM-it ka rëndësi të madhe sepse me ketë proces rrumbullakohet zbatimi i plotë i Marrëveshjes së IBM-it dhe të Protokollit Teknik, dhe praktikisht të dyja shtetet do të bashkëpunojnë në fushën e Menaxhimit të Integruar të Kufirit sipas standardëve më të larta të BE-së.

Kjo marrëveshje është negociuar tash një vit dhe arritja e saj shënon edhe një kontribut të të gjitha palëve për lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, rritjen e kualitetit dhe sigurisë së kontrollit kufitarë, dhe është në funksion të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ajo po ashtu rikonfirmoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore me shtetin fqinj, Serbinë, dhe për avancimin e politikave të fqinjësisë së mirë në rrugëtimin e saj për integrimet Evropiane.

EkoHigjiena

Me këtë marrëveshje parashihet ndërtimi i gjashtë pikave kufitare sipas konceptit të IBM-it me të gjithë infrastrukturën e nevojshme përcjellëse sipas standardeve më të larta të Bashkimit Evropian.

Këto pika të përhershme kufitare të IBM-it do të ndërtohen me financimin e Komisionit Evropian përmes fondeve të Instrumentit të Para Aderimit (IPA) me një shumë prej mbi 21 milion Euro.

Komisioni Evropian në bazë të procedurave të brendshme parasheh që ndërtimi i këtyre pikave kufitare të IBM-it të filloj në fillim të vitit të ardhshëm.

Delegacioni i Kosovës vlerëson lartë angazhimin dhe kontributin e BE-së për arritjen dhe nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, si dhe zotimin e BE-së për të marrë përsipër financimin dhe ndërtimin e plotë të pikave kufitare të IBM-it në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në delegacionin e Republikës së Kosovës të kryesuar nga Zëvendëskryeministrja Tahiri ishin, Fisnik Rexhepi nga MPB, Dren Zeka nga kabineti i ZVKM Tahiri, Qemajl Marmullakaj nga ZKM, Kolonel Shaban Guda nga Policia e Kosovës, Bekim Mehmetaj nga Doganat e Kosovës, Valdet Gjinovci nga AUV, Murat Meha nga AKK, dhe Labinot Hoxha nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.