Në Gjilan është shënuar sot dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara, organizuar nga shoqata “Handikos”, ku ka marrë pjesë edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi Emini.
Ajo ka thënë se Komuna e Gjilanit, në mënyrë të vazhdueshme i ka qëndruar afër Handikosit dhe do të vazhdojë ta mbështes këtë shoqatë, duke i qëndruar pranë me të gjitha mundësitë.
“Personat me aftësi të kufizuar janë kategori e veçantë dhe shumë e vlefshme për ne”, ka thënë Kurteshi-Emini, duke premtuar se Komuna do të kujdeset në mënyrë të vazhdueshme për këtë pjesë të shoqërisë, në mënyrë që të jetë sa më shumë e përfshirë në jetën arsimore dhe institucionale.
“Ne do të kujdesemi që t`ju sigurojmë gjithëpërfshirje në jetën arsimore dhe publike, në mënyrë që ju të ndjeheni pjesë e barabartë dhe e rëndësishme e shoqërisë”, ka thënë ajo.
Përndryshe, Shpresa Kurteshi Emini tha se Komuna e Gjilanit ka bërë edhe një hap tutje në avancimin e të drejtave të kësaj kategorie, duke e themeluar Komitetin e Personave me Aftësi të Kufizuara, i cili do të shërbej si trupë ndihmëse e Kuvendit Komunal, në identifikimin e nevojave të këtyre personave dhe rekomandimin e tyre për miratim në Kuvend.
Ajo i ka përgëzuar personat me aftësi të kufizuar për talentin dhe shkathtësitë që demonstruan në programin e shfaqur me këtë rast.