Kuvendi Komunal i Gjilanit, (pa praninë e PDK-në), ka miratuar të mërkurën raportin e kryetarit të Komunës për 6-mujorin e parë të këtij viti, i cili përmbledh të arriturat, sukseset dhe sfidat e kësaj periudhe, gjatë së cilës janë kryer shumë punë, shumë të tjera janë duke vazhduar, ose kanë filluar këto ditë.
Kryetari Lutfi Haziri, në raportin e tij, kishte nënvizuar faktin se kjo qeverisje e ka kthyer Gjilanin në një qytet meritor për qytetaret e vetë.
“Me bashkëpunim të ndërsjellë, me mirëkuptim dhe punë të palodhur, kemi arritur që në këtë gjashtëmujor të realizojmë me sukses një sërë projektesh e aktivitetesh të rëndësisë së veçantë për Komunën tonë”, shkruhej në raportin e Hazirit
Raporti përmban detaje të punës së përgjithshme të kësaj qeverisje, sipas drejtorive e zyrave përkatëse.
Shpresa Kurteshi – Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se edhe gjatë kësaj periudhe, sikurse edhe në tri vitet e kaluara, janë bërë plot punë të mira nga kjo qeverisje, shumë të tjera janë duke u kryer, sikurse do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për interesa të qytetarëve, deri në fund të mandatit tonë, ka shtuar ajo.
Raporti është përkrahur nga këshilltarët e pozitës Avdyl Aliu (LDK) e Selami Xhemajli (AAK) si dhe partnerët tjerë të koalicionit, të cilët kanë thënë se raporti është gjithëpërfshirës dhe përmban të dhëna të mjaftueshme për punën e kësaj periudhe, ndërsa është kundërshtuar nga opozita, Vetëvendosje, e cila, nëpërmjet Nevzad Isufit, Fehmi Sylejmanit, Arjeta Rexhepi e Krenare Latfiti, ka thënë se në raport nuk figurojnë të metat dhe dështimet.
Sa iu përket arritjeve të kësaj periudhe, Rexhep Kadriu, ka përmendur fillimin e projektit për ndërtimin e rrugës hyrës-dalëse Gjilan-Ferizaj me katër krosi, ndërkohë që shumë shpejt pritet edhe në drejtimin Gjilan-Prishtinë, pastaj dhjetëra kilometra kanalizime, ujësjellës, trotuare dhe investime të tjera.
Këto ditë kemi filluar edhe projektin për ndërtimin e shëtitores mbi lumin Mirusha, që do të shtrihet deri te furra e bukës Aroma, kurse shumë shpejt fillon edhe projekti për rinovimin e stadiumit të qytetit si dhe projekte të tjera, ka thënë Kadriu.
Përndryshe, Kuvendi ka miratuar edhe raportin financiar janar-qershor, që ka prezantuar Ilmi Limani (DBF), i cili ka thënë se buxheti i planifikuar për vitin 2017, është 22.657.745 euro dhe pjesa më e madhe e tij – 14.710.814 euro shkon për paga dhe mëditje. Për shpenzime kapitale janë planifikuar 4.2 milionë, ndërsa për subvencione – 554.086 euro. Në buxhetin e përgjithshëm, të hyrat vetanake marrin pjesë me rreth 4.6 milionë euro.
Krenare Latifi (VV) ka thënë se të hyrat vetanake të kësaj periudhe janë më të ulëta se ato të 6-mujorit të njëjtë të vitit të kaluar për 11 për qind.
Limani ka sqaruar se të hyrat vetanake të vitit të kaluar kanë qenë të larta për shkak se qytetarët kanë shlyer borxhet e vjetra, duke përfituar nga vendimi i qeverisë.
Kuvendarët kanë miratuar edhe vendimin për autorizimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, për bashkëpunim me komunën e Vitisë, në fushën e infrastrukturës rrugore me interes të përbashkët, programin trevjeçar për banim (2018-2020) si dhe tri vendime për dhënien e pronës së paluajtshme komunale për ndërtimin e një trafostacioni, për ndërtimin e Qendrës për fëmijët e braktisur dhe shtëpinë për moshuarit, si dhe për nevoja të groposjes së kafshëve të ngordhura.
Po ashtu, Kuvendi ka miratuar tri vendime për ndryshimin e destinimit të një pjese të parcelave kadastrale, në kuadër të zonave “Qyteti i Gjilanit”, “Fidanishte” dhe “Livadhet e Arapit” në Gjilan si dhe vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit mujor për anëtarët e Komisionit Komunal të Aksionarëve në NLP “Tregu” SHA Gjilan, që do të jetë 100 euro, plus 50 euro për çdo takim të mbajtur, por jo më shumë se dy brenda një muaji.
Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se materialet për të gjitha këto pika janë dorëzuar ma kohë dhe anëtarët kanë pasur mundësi që t`i shqyrtojnë dhe analizojnë të gjitha çështjet, ndërkohë që drejtorët komunalë, Sadudin Berisha (Kadastër), Naser Korça (Shërbime Publike), Ramiz Ramadani (Bujqësi), Nexhat Hajrullahu (Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale), Shqipe Kastrati (Arsim) dhe të terë, kanë dhënë sqarime shtesë në interesimet konkrete të këshilltarëve të opozitës, Nevzad Isufi, Fehmi Sylejmani, Arjeta Rexhepi e Krenare Latifi (VV).