Të enjten mbrëma qytetarët e shumtë të Gjilanit, sportdashës, të ri e të moshuar kishin vetëm një destinacion, palestrën e sporteve “Bashkim Selishta – Petriti”. Me të filluar finalja mes KV. Dritës dhe KV. Skenderajit, salla u stërmbush me shikues, ndërsa kohë pas kohe vinin të tjerë.
Këtë e dëshmonte pamundësia e të gjithëve për t’u ulur, gjersa një shumicë shumë e madhe rrinin në këmbë.
Edhe përballja në parket ishte dinamike, sfidë në vete dhe qoftë edhe vetëm një pikë e fituar elektrizonte masën në sallë.
Për gjatë gjithë ndeshjes, por edhe pas ngritjes së kupës atmosfera në sallë ishte dramë, adrenalinë e gumëzhinte nga tifozët e zëshëm “Intelektualët” e të pranishmit e tjerë.
“Intelektualët” , nuk u ndalën së brohorituri, këndonin këngët e klubit e përkrahnin vashat bardhë e kaltër.
E më të vegjlit të cilët, vështirë e shihnin ndeshjen nga distanca gjenin forma të tjera vetëm për ta shijuar atmosferën.
E finalja në Gjilan ishte organizuar në detaje, gjersa në pauza të seteve, me pikë artistike u paraqitën më të vegjlit nga shkolla e vallëzimit, Dancing House.
Teksa, vajzat mysafire nga KV.Skenderaj e fituan setin e parë me diferencë të ngushtë 28:25, në tri setet e fundit ishte KV.Drita ajo që e dominoi lojën.
Kështu, KV.Drita triumfoi bindshëm, duke i fituar ato me rezultat, 25:10, 25:13 dhe 25:18, për ta fituar titullin kampion për të tretën herë me radhë, 3:1 në sete.
Pas takimit, festa vazhdoi edhe në një nga lokalet e qytetit, ku vashat e Dritës dhe Tifozët “Intelektualët”, po e kremtonin titullin.
Në këtë rast, trajneri i Kf.Dritës, Lorik Ilazi, tha për 2LONLINEse kjo kupë dhe ky titull kampion është meritë e vashave të pa ndalura të Dritës, ndërsa ia dedikon gjithë qytetit të Gjilanit.
“Unë sot jam shumë i lumtur që për të tretën herë radhazi arritëm që ta mbrojmë titullin. Normalisht me një përballje të fortë, ngase edhe Kv.Skenderaj ishte përgatitur shumë mirë të na befasonte, pasi qëllimi i tyre është vetëm Drita. I përgëzoj gocat, sepse sot luajtën si kampione të vërteta dhe ishin bindshëm më të mira në të gjitha setet. Unë Ii falënderoj të gjithë, Komunën e Gjilanit, ish-presidentin Valon Murseli, gjitha ata që na ndihmuan dhe qytetin e Gjilanit e tifozët Intelektualët e pandalshëm. Kupa dhe titulli ju takon atyre”, ka thënë Ilazi.
Ndërsa, Fjolla Hyseni, u shpreh për 2LONLINE tejet e lumtur që titullin e sollën në Gjilan për të tretën herë, duke premtuar se titujt e vashave bardhë e kaltër nuk do të përfundojnë me kaq.
“Sot u kon loja jonë dhe sot e kemi tregu veten, ashtu si dim të luajmë më së miri, duke e dëshmuar se titullin kampion vitin e kaluar nuk e kemi marrë rastësisht por me meritë e përkushtim. Këtë titull dhe fitoren e sontme ia dedikojmë gjithë atyre prezentë, sepse salla ka qenë si asnjëherë më parë dhe e rrallë ose e paparë në Kosovë. I falënderojmë nga zemra të gjithë ata që na mbështetën në rrugëtimin tonë”, ka thënë Fjolla Hyseni, në pozitën libero të Kv.Dritës.
Kv.Drita shpallet kampion për të tretin vit me radhë, ndërsa në këtë finale u takua dy herë me Kv.Skenderaj, të parën në Gjilan me fitore 3:2, të dytën në Mitrovicë të cilën e fitoi Kv.Skenderaj 3:1, ndërsa kjo e fundit ishte vendimtarja për ta ngritur kupën, të cilën Kv.Drita e fitoi 3:1. /Elife Sherifi/