Të kuptosh në lexim vargun e poezisë së Selajdin Shabanit, të duhet ai çast magjik kur i ke thënë vetes “vërtet do të lexoj poezi sot”, pasi nuk është e lehtë të përjetosh natyrën e tij të shkrimit.
(Vështrim mbi vëllimin poetik “Më shumë se Unë”)
Odise PLAKU
Kush e njeh drejtpërdrejtë Selën (kështu e thërrasin miqtë e ngushtë) dhe kush ka arritur të lexojë vargjet e tij, pa asnjë hezitim do të thonë se “këta të dy qenkan binjakë”.
Si Sela, ashtu dhe vargu i tij janë mistikë dhe të çelur, të varë dhe të qeshur, të vrullshëm dhe të heshtur, kapriçoz dhe të dashuruar. Vargu dhe Sela vuajnë të dy realitetin e hidhur në të cilin është shkruar dhe jetuar.
Të kuptosh në lexim vargun e poezisë së Seladin Shabanit, të duhet ai çast magjik kur i ke thënë vetes “vërtet do të lexoj poezi sot”, pasi nuk është e lehtë të përjetosh natyrën e tij të shkrimit.
Vërtet ai shkruan për qenien e tij, por mesazhet përcillen përtej qenies së tij. Marrin rrugën dhe kalojnë përmbi një urë përtej së cilës nuk ka rrugë, por duhet ta gjesh vetë, ta shkelësh dhe ta ndërtosh ti. Ai, Sela, përmes figuracionit, gjetjes, zhvillimit të ka çuar drejt një ure, të lë të kalosh metrat e saj dhe më pas je ti që duhet të vendosësh rrugën e fatit.
Diku tjetër, mbi një lumë, përrua, shkrimtari ka urën e tij:
Rruga ime, dhe jo vetëm imja,
Gjithnjë në gjysmë…
Nëpër të të cilën kalon një trajektore
Në mes saj, një pengesë,
Barrikadë – trup i gjallë
Dhe një brengë,
Dhe jo vetëm imja
E rruga ime përtej urës.
Janë vargje të poezisë “Rruga ime – unë” të vëllimit poetik “Më shumë se Unë”, që më së miri të vendosin në kushte dhe rrethana të përcaktuara dhe të papërcaktuar për të ecur më tej, për të gjetur një rrugë që gjithsecili në çaste të ndryshme të jetës e kërkon.
Por a e ka të qartë rrugën nëpër të cilën janë duke shkuar vitet e jetës së tij?
Për vetë poetin, por jo vetëm për të, thuaj për të gjithë, pavarësisht shprehjes, pranimit apo jo, jeta duket si një reprizë e një vepre që shkruhet dhe vihet në skenë dhe në rivënie të kësaj vepre në një tjetër skenë, me të tjerë aktorë, fillimi e vazhdimi mbetet i njëjtë.
Fate jete të përcaktuara dhe, sado që të kenë çaste gëzimi, përsëri mbeten në boshësinë e tij. Autori pranon, nuk shtiret, nuk përpiqet ta zbukurojë dhe ta ndriçojë atë që është ndryshe. I sertë si poet, por me shpirt të brishtë njeriu.
I përsëritim motet,
Si viti stinës
Pranverës pa behar,
Verës pa shi,
Dimrit pa borë.
Por në vargjet e tij Sela shpalos një njeri që kërkon më shumë dritë, më shumë jetë, që vështirëson veten teksa përballet me një realitet gri. Ai i jep vetes të drejtën e rebelimit, pasi nuk e duron dot torturën e njerëzve të kohës që përsëritet. E nxjerr veten të pastër, të lartë në dritë të diellit edhe në çastet kur flet si i përçartur, sepse nuk e duron dot ankthin, as mundin, as dhunën, madje as dëshirë të huaj.
Veç mallkimin nuk e pranon.
Por ndihet mirë dhe nxjerr gjithë dufin e mbledhur shpirtit të tij kur shan e bërtet.
Kam të drejtë të flas,
Si plaku që e pret e nuk e do vdekjen,
Se mos amaneti më tretet.
Në tërësinë e kësaj poezie autorit kapet pas vetes, por kalon shumë më tepër se pas saj. Ai kalon në hapësirën gjithëpërfshirëse të shoqërisë, e cila nuk duhet kurrsesi të humbasë rrezet e shpresës dhe të së ardhmes.
Ai përpëlitet nëpër natën që vonohet dhe pret së paku dritën e hënës që të ndriçojë realitetin. Ndërsa nata e gjatë vuan dhe lëngon në trishtimin e saj.
Ora nuk ecën,
Koha s’ndalet.
Po për kë punon kjo kohë? Në favor të kujt është ajo?
Ky mundim i autorit ka rrugëtuar “Nëpër mote”.
Ka nisur si një përrallë në ato motet kur në tokën e tij mbërritën ardhësit dhe iu bënë mikpritje e sot i quajnë të huaj.
Në jetën time hyre pa ftesë
E më bërë që të jetoj jetën tënde.
Trishtimi dhe dhimbja e poetit është e madhe. I bie vetes dhe pranon çfarë ka ndodhur, sepse e ka bërë me dëshirë, me njerëzillëk i ka dhënë të huajit ndihmën e kërkuar dhe e ka parë veten të rrethuar nga këta njerëz, që, çuditërisht, nuk ikën, por mbeten përgjithmonë.
Nuk më bëre për vete,
Më shprishe gjakun
E ende,
as në tokë e as në qiell!
E mes gjithë kësaj rrëmuje jetësore, kushteve, marrëdhënieve politike të kohës dhe vendit ku jeton kumanovari i qetë në pamje të parë dhe tekanjoz me veten dhe me realitetin, kërkon që t’i vënë një emër. Ta kujtojnë përmes këtij emri, edhe nëse kanë çastin ta takojnë si të marrë, apo edhe të vetmuar, të paktën të mos e lënë pa një emër
Po përsëri kërkon mirëkuptim pse do të jetë në atë gjendje, në atë emocion negativ të vetes së tij.
Po t’më takosh të revoltuar
Mos u trand
Koha nuk pret,
Ajo, mallkon,
Mallkon!!…
Dhe këtu me autorin ndajmë të njëjtin mendim. Vërtet koha do t’i mallkoj shqiptarët që nuk u bënë të zotët e vetes, që nuk e gjetëm gjuhën e mirëkuptimit mes njëri-tjetrit, që jetojmë të ndarë e të përçarë nëpër copa tokash të një toke të madhe – Ilirisë së lashtë.
Dhe përsëri fajësimi i vetes, i shokëve, i gjeneratës është po aq i madh sa e stërmadhe është pyetja: “Ku mbete gjenerata ime?”
Është pikërisht ajo gjeneratë, që pa pasur fatin të vendosë fatet individuale dhe kolektive të një pjesë jetësore kombëtare. Ka qenë pikërisht ajo gjeneratë që derdhi gjak, luftoi, sakrifikoi dhe e ka lënë atdheun të trandur, që është shpërndarë ku e ku për të gjetur pakëz qetësi dhe rehati nëpër metropole e nëpër provinca në thyerje të vetes.
Ç’bën gjenerata ime?
Në rrugët që s’kanë fund
Atdheu i plagosur,
Numëron dhe harron plagët, liri
Autori është i vetëdijshëm se koha do t’i vërë para një përgjegjësie dhe nuk dihet nëse kjo gjeneratë do të marrë bekim apo mallkim…
Çfarë ndodhi me këtë njerëz, që kishin shumë në dorë dhe nuk bënë asgjë? Që fatin nuk ditën ta kapin në kohën dhe çastin e duhur?
Kuptuam, s’deshëm, s’ditëm
Apo s’mundëm
Për të bërë atdheun me vello të bukur.
Kjo është brenda më e madhe që e shqetëson autorin, çka e tregon qartazi në shumë e shumë vargje të vëllimit të tij poetik “Më shumë se Unë.”
Por cili është Selajdin Shabani në të vërtetë?
Një njeri me shpirt të ndjeshëm, që kujton çaste të bukura, magjike, të rralla të jetës së tij, të dashurisë së tij. Që ende e vuan atë që e kishte dhe nuk e ka, por që e mban të gjallë në ëndrrën ë tij, në dashurinë e tij. Nuk ka frikë të flasë për veten, për ndjenjën, për dashurinë, sepse janë pjesë e historisë jetësore dhe shpesh ia ndryshojnë gjendjen, emocionin e brishtë e zbukuron me magjinë e të qenit i dashuruar.
Ajo, dashuria e dikurshme, i shkon dhe vjen nëpër ëndrra, por në një kohë të re, në një realitet që ka ndryshuar. Ai dhe ajo kanë një tjetër jetë, familje, fëmijë, por përsëri duhen, si atëherë kur ishin fëmijë e të rinj.
Ne duam të luajmë
Përsëri
Lojën,
Por tani kemi më shumë drojë,
E jeta vazhdon duke ëndërruar
Përsëri në lojë.
Dhe nuk ka faj autori Selajdin Shabani, sepse, tekefundit, e gjithë jeta është një lojë, ku mund të ndodhë që të fitosh, por dhe të humbësh. Atij i ka ndodhur që e ka fituar ndeshjen e parë, por e ka humbur të dytë.
Sa herë humba të parën betejë,
Dytën e fitova,
Së tretës nuk i erdhi radha!
Po vëllimi i radhës poetik i poetit Selajdin Shabani kur do të jetë në dorën e lexuesit? Pa dyshim, duke dalë nga ai rreth vicioz i realitetit të brishtë të Kumanovës, besoj se do të kemi kënaqësinë të lexojmë vargjet e reja të tij.