Kultura publike e paradigmave!

Kultura publike e paradigmave!

Paradigma , -si e di unë, në interperetim të lirë, -është një gënjeshtër që bëhet e vërtetë dhe jepet në opinion ose në një program radio –televiziv, a në media, -duke shkuar me pytjen, se një e “vërtetë” e tillë pse është e tillë, e vërtetë?!

Shkruan: Femi HALIMI

Mandje, pasi me paradigmë, një gënjeshtër shtrohet dhunshëm për të vërtetë, kërkohet në opinion tutje, se çka duhet të bëhet me të?!

Së treti, me paradigmën qilet rruga për shantazh, ku shantazhohet i tërë opinioni, se –ja kështu e ashtu, -një të keqe masa e pranon dhe e don, duke shkuar tutje se “populli ynë” ka këtë dobësi, që të pranon të këqijat vetë! Del kështu që populli ynë është naiv dhe ka nevojë për marrje për dore prej këtyre mediatorëve e kompanive mediatike dhe të udhëhiqen prej tyre, pasi populli ynë nuk ka intelekt të ecë rrugës vetë!…

Këtë punë të paradigmave e të sulmit me të gjitha mjetet, përveç armëve të zjarrit, e kanë armiqt dhe nuk e ndalin kurrë, por pas lufte sidomos, këtë sulm e bënë me program edhe shumë individë e kompani, grupe e organizime të ndryshme të llojllojshme këtu. Qëllimi i armiqve dihet, por edhe qëllimi i këtyre tanëve dihet! E dijnë se vednin nuk mund ta shesin, me euro e me pasuri, sepse aty edhe e kanë qëllimin, por sëpaku, çka mund të bëjnë, -është të dërmohet përbrenda çdo forcë që u pengon dhe të shtrijnë një sundim të errësirës në tërë vendin.

Me paradigma, që pas lufte, mjetet e informacionit disa, mediat e tv –të disa, në emisionet speciale, në mbrëmie zakonisht –“pas darke”, bëjnë luftë të vërtetë speciale, kundër individëve, partive e institucioneve të vendit, duke pasur për arsye dhe mbrojtje, me paradigmë, të vërtetën! Në të vërtetë, nuk është e vërteta ajo që e fshehin ata në paradigma, por është qëllimi politik i tyre, i një udhëheqësi të emisionit e deri tek kompania, për të sulmuar dikend, në fushata të pandërprera politike.

Kultura publike është pjesë e kulturës në përgjithësi. Është kultura publike dhe kultura familjare, shtëpiake. Në përgjithësi kultura është një, unike dhe e pandarë. Një që ka kulturë publike, për më tepër është ngase ka kulturë shtëpiake të familjes. Pasqyrë e njeriut në publik është kultura shtëpiake e familjes.

Ka edhe veçanti, kur ndokush nuk ka kulturë në familje, por tregon kulturë publike dhe e kundërta, -ka ndokush që ka familje të jashtëzakonshme por nuk ka kulturë publike! Mirë e tha urtia popullore se edhe “prej të mirit del i keqi dhe prej të keqit del i miri”!

Tema është kjo e nxitur nga kultura publike e çrregulluar, në media dhe në publik në përgjithësi, e deri në institucione, tani para kamerave, ku përcjell gjithë populli, po edhe të huajtë. Një popull yni, anise në robëri gjithmonë, ka pasur megjithkëtë kulturë publike të jashtëzakonshme, të trashëguar dhe të mbajtur pandërprerë.

Fuqia e kulturës publikje ka qenë aq e madhe në popull sa kanë qenë normat e sjelljes dhe të folurit në vend publik, të cilat kanë qenë të detyrueshme të mbahen për të gjithë. Në këtë kohë, pas luftës, ndodhi një përplasje e rëndë e kulturës me grupet parapolitike e shantazhuese, me përdorimin e fjalëve të ndyta, shpifjeve, gënjeshtrave të programuara, organizimit me plan të një sulmi të pandërprerë ndaj një personi a një grupi, a një partie, -krejt kjo me qëllim të marrjes së pushtetit.

Fuqia e propagandës është edhe ashtu e kështu e madhe në vend publik, por shpifjet, sharjet, etiketimet brutale, të cilat i sollën në botën shqiptare individë ekstremistë, të shantazhuar a të paguar, a të sëmurë shumë prej tyre, bënë që të shkatërrohet opinioni publik në masë. Tanëmë me program e kanë bërë shumë grupe e lëvizje politike që përmes sulmit me të gjitha mjetet më brutale ndaj pushtetarëve aktualë, të arrihet pushteti.

Ka tani edhe të shkolluar nga tanët, me shkolla psikologjike të luftës speciale, që kushdi kush i shkolloi dhe që i instaloi në opinion e media te ne dhe të cilët për çdo ditë gënjejnë, shantazhojnë, shpifin, shajnë, sajojnë tregime me “dëshmi” për persona të caktuar, që janë edhe liderë politikë në Kosovë. Ndaj këtyre personave përdoren fjalët më të ndyta të mundshme, e për çka as nuk bartin përgjegjësi penale. Këto janë sulme në integritetin e njeriut, të familjes, të shtetit, të pushtetit, të Kuvendit dhe të tërë kombit.

Duke sharë e fyer, duke gënjyer çka u vije në mendë për një person lider te ne, me të shahet e fyhet e tërë anëtarësia e partisë së tij dhe tërë fjalët e ndyta për të cilat më parë bëhej belaja e ndodhnin fatkeqësi më të mëdhatë, i drejtohen për çdo ditë opinionit për një lider politik, përmes të cilit mandej shantazhohet edhe e tërë anëtarësia e partisë së tij.

Këtë nuk e bën armiku, por e bën njeriu ynë, por e bën edhe më fort se armiku! Armiku ka një masë, një kujdes, mos të shplohet e diktohet se gënjen, -kurse këta tanët, pretenduesit me ëdnrra të pushtetit, të kushdi si mendojnë të këtij pushtetit te ne, -këta pra halucinantë e të papërgjegjësi, mbushin mediat, opinionin, televizionet e portalet me “të vërteta dhe fakte” për armiqt e tyre, të cilat informacione të rrejshme i sajojnë vetë, me paradigma dhe paragjykime.

Është e kuptueshme se lufta bëhet për pushtet dhe ka shumë mjete me të cilat bëhet, -prej atyre reale e deri tek ato ireale, si dhe se diçka edhe me rrena kuptohet se bëhet, sepse në tërë botën këto bëhen, -mirëpo të përdoren fjalë të ndyta, sajime e shpifje, deri edhe për ndodhi nëmes burrit e gruas, nëmes prindit e fëmisë, nëmes vëllazërve e grave, e tjera, këto nuk kanë qenë kurrë në popull tonë.

Këtë “kulturë” e mbollën dhe e ujitën tanët tani frik, kohët e fundit, sidoqoftë, qoftë vetë –qoftë me përkrahjen e të huajve. Duke qenë anëtaq i një partie, anëtarët e saj e kanë kuptuar se për të fituar partia e tyre –duhet sulmuar partitë tjera dhe individët liderë të partive të tyre. Ky sulm mandej përshkallëzoi deri në humnerë me gjithçka dhe me shumicë mjetet të cilat përdoren në shantazhim e shpifje kanë kaluar kahmot kufijt e ligjeve dhe të dokeve e zakoneve në popull tonë.

Dëgjoj gjëra çdo ditë për liderë partiakë, nga më monstruozet, apo për grupe e parti, apo edhe për tërë një anë a krahinë. Nuk besova se ka njerëz te ne që janë në gjendje që për një premtim në parti të bëjnë çka u vije në gojë e në mend! Çudi si nuk reagojnë gjykatat, kur kalimi i kufijve moral e material është në kompetencë e detyrim me ligj të gjykatave të intervenojnë dhe të ndalin e fusin brenda secilin që bën veprime të tilla kriminale.

Duke ditur se nuk ka rrezik, se mund të bëjnë çka të duan për keq dhe për të nuk do ketë kurrë përgjegjësi, persona dhe grupe, jashtë e brendas partive, deri edhe të lidhur me të huajtë, ndërmorën fushatë të pandërprerë të sajimit të paradigmave në fillim, e mandej të shpifjeve të pafund për individë e persona liderë e më poshtë.

Për fat të keq, nëse organet kompetente nuk dalin të ndalojnë e kufizojnë me forcë të tillët, ata e këta nuk do të ndalen vetë. Kurrkush për vepra penale nuk shkon vetë e të dorëzohet në polici a gjykatë, por policia e gjykata shkojnë tek ai, e gjejnë dhe me dhunë, duarlidhë e çojnë “brenda! Nëse kjo nuk ndodhë, kryerësit e veprimeve penale do të azganisen e trenohen dhe do të kallin krejt vendin, sepse të tilla i kanë mendët! Për këtë është shteti me pushtet, e jo për të punësuar dikend dhe për ta mbajtë me pagë!

Pasi nuk ka rrezik për të tilla veprime, edhe të huajtë, armiqt e grupe të tërë të organizimeve të llojllojshme, me program e me strategji, kanë hyrë në vend tonë dhe bëjnë kërdi me gjithçka dhe as i pyetë kush për këto punë! Ndërrohen flamujt e vendit tonë e ngriten flamuj të shteteve tjera, ndërrohet gjuha në vend publik e ndryshohen zakonet, kërkohet e bëhet diçka nga të huajtë që nuk është kund në botë, nuk dihet kush hyn këtu e kush del dhe në çfarë kohe as me çfarë qëllimi!?

Dëgjoj në mbrëmie llojlloj gjuhësh e llojlloj surratesh shoh në park. Në qendër e në skuta të lagjeve, shoh grupe që shpërndajnë letra, fletushka e ftesa, grupe me llojlloj ngjyre e surrati që flasin në gjuhë të huaja. Këtu kushdo mund të vjen e të bën çka të don, -mendoj veprime penale, -dhe të mos ketë kurrfarë rreziku se mund të përgjigjen penalisht.

Kështu vendi im u bë një rezervat ku hyhet nga bota e dilet në çdo kohë me çkado, ku nuk funksionojnë ligjet e mbrojtjes dhe ku çdogjë është e lejuar! Lejohet të bëhet kush çka të don e çka t’i mëteket dhe askush nuk e thirrë për këtë në përgjegjësi bërësin e tillë. Këtë e panë edhe tanët dhe ia krisën teposhtë e përpjetë si thoshte baca Adem, e hajde vëllazër të përdorim metodat e reja psikologjike të shkatërrimit të dikujtë, kushdo qoftë ai, si dhe të marrim pushtetin kur ka mundësi e kur kurrkush nuk e mbron!

Nëse sulmohen liderët politikë dhe kryesitë e partive, cilësdo qoftë, me të sulmohet edhe rendi ligjor dhe publik, në vend. Nëse nuk intervenohet në këtë menjëherë në fillim, që në nismë, të tillët që bëjnë të tilla fluturime kosmike politike mësohen dhe marrin guxim të shkojnë më tutje dhe të provojnë të marrin edhe pushtetin, pse jo?!

Më tha një plak në Tiranë, sa isha musafir këto ditë vere, se po të mos ishin amerikanët, sa për shqiptarë si jemi, do e shitnim edhe Shqipërinë –edhe Kosovën, me të parën! Që nuk mund të shiten krejt, me tokë e me krejt, duhet falënderuar amerikanëve dhe miqve të tyre, se përndryshe sa janë atdhetarë e njerëz tanët, do e shitnin vendin, brenda ditës, cili do të qëllonte në pushtet i pari!

Kështu,…-fjala ishte për kulturën, sjelljet në vend publik te ne, që ka rënë në fatkeqësi, në pre të huliganëve e grupeve të terrorit krejt dukshëm –dhe ku qëprej pas lufte erdhi e u rrit furishëm ekstremi i skajshëm i poshtërsive të grupeve e individëve, pasise e kuptuan se nuk ka rrezik për përgjegjësi dhe se kuptuan se pushteti mund të merret, -përveç me ligj e kushtetutë, edhe me gënjeshtra, shpifje, e sulme të pakrahasueshme të rënda e të këqija ndaj të gjithë atyre që ishin dhe janë “pengesë” për ta, deri në hipje në pushtet!

Se kush çka ka qenë dhe çka është e dijmë të gjithë, për njëri –tjetrin, pasise u plakëm këtu, që nga vegjëlia, dhe se nuk mund të na del një njeri yni, a një grup, sikur jashtëtokësor dhe të mos dijmë gjë për ta, përveç se çka llomotisin ata për vete e për të tjerët. Bastardhimi moral ka arritë kaq lart, e kultura ka rënë kaq poshtë, sa më nuk ka si bëhet më keq. Nuk ka kush e ndalë këtë tjetërkush, përpos pushtetit.

Kjo që ishte demokraci është interpretuar gabim dhe njësoj gabim u interpretua edhe diktatura.

Qytetarët nuk mund të dalin vetë e ta zbatojnë ligjin, ta “marrin ligjin vetë në duarë” siç ishte në kohë të kaubojëve. Pushteti ka për detyrë të patjetërsueshme të ndalë rritjen e tillë ekstrteme të veprimeve kriminale politike e të tjera dhe nëse këtë nuk e bën, shkatërrimi nuk është larg. Janë nëdrkombëtarët dhe me të e keqja e madhe nuk ndodhë, por ndohin shumë të këqija të vogla, të cilat bëhen mandej bashkë dhe bëjnë një të madhe.

Edhe mua më ndodhë shpesh që të më vijnë të tillë, ekstremë, të fshehur pas paradigmave e besimeve të rrejshme dhe të më mohojnë kulturën, arsimin, mësimin, tërë jetën. Unë por me fjalë të parë i ndali dhe bisedën ua kushtëzoj me kulturë ose të largohen! Nëse duan me çdo kusht të ma mohojnë që në nismë mësimin, studimin, kulturën, arsimin dhe parimet civilizuese, nuk ua lejoj fare tutje të flasin dhe i largoj a i përzë!

Të tillë kështu janë bërë shumica dërmuese dhe këta i mësoi, shkolloi e përgatiti dikush nga jashtë dhe këta tanët këtë mësim bastard e muarën për pakë euro, a lekë, a ndonjë kredi investuese, për shitje malli rrugëve a ndonjë zanat qosheve sa për jetesë. Me kaq pak e kështu u shitën tanët te të huajtë e ndryshëm, pasise kështu ndodhë kur i huaji t’i mba njerëzit me bukë!…

Faji është i tanëve, që harruan gjithçka dhe u tërmekën pas luksit e kënaqësive sheike dhe e lanë vendin e popullin në rrugë. Kur nuk ka as bukë, vjen dikujsh dhe na i ushqen njerëzit me bukë, mirëpo buka e të huajit është kështu, që qet fare!

Tani ka ndodhë që prej fundit e deri në krye, në institucione e në media, në portale e në televizione, së mbisundon kështu më u huaji, pasise u jep më parë pagë për bukë! Këtë bukën kështu, që e ka secili të drejtë për jetë, pasi ua ndalën tanët njerëzve këtu, të huajtë nisën t’ua jepnin. Me këtë edhe përfundoi gjithë ajo që ishte deri dje, e jona.

Tani veç flitet këtu, shqip, edhe do kohë!?…

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE