“Presioni” i madh në formë këshillash i komentuesve në FB e gjetiu më bëri të shkruaj prapë për debatin (dialogun). Është krijuar një përshtypje e gabueshme se në debate patjetër duhet të ketë fitues. Sipas meje, fitues në debate duhet të dalin dëgjuesit, jo gjithsesi ndonjëri prej debatuesve.
Rëndësia e debatit dhe dialogut matet me mesazhin e dalë nga debati, dhe, në debate dialogu zhvillohet vetëm mes njerëzve që mendojnë ndryshe. Të qenit të njëjtë nuk ka kurrfarë kuptimi, ngase, përgjatë dialogut kërkohet e vërteta, jo fitorja ndaj njëri-tjetrit. Sikur që nuk është e vërtetë krejt ajo çka thotë ai, nuk është gabim as krejt çka thua ti.
Dialogu është i frytshëm aty ku njerëzit mendojnë ndryshe. Zhdukja e dallimit mes njerëzve është fillimi i vdekjes klinike të shpirtit të shoqërisë.
Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami
Logjika është shkenca që në mënyrën më të mirë vë rregullat e debatit dhe dialogut mes njerzëve. Librat e shenjt nga Zoti tek profetët kanë “zbritur”, ndërsa nga profetët, ato, njerëzve u janë predikuar nëpërmes bisedimit. Përderisa në Kuran një kaptinë e tërë emërtohet me domethënien e “komunikimit të ndërsjellë” (Shuura), nga ana tjetër krejt jeta e Muhamedit a.s. ishte pyetje përgjigje mes tij dhe njerëzve. Edhe grekët e vjetër besonin se e vërteta zbulohet nëpërmes bisedimit (dialogos). Urtësia, thoshin ata, arrihet me komunikimin e ndërsjellë. Dialogu ushqen shpirtin e të rriturit sikur loja me lodra që ushqen shpirtin e fëmijës. Nga grekët bota mësoi dialogun ndërsa romakët na falën aftësinë e të folurit. Të parët hynë në histori me urtësi (fryti i bisedimeve) të dytët u njohën me “të drejtën” (fuqia e retorikës).
Sokrati tërë jetën e tij e kaloi duke biseduar. Sipas tij, edhe të menduarit është një lloj dialogu me vetveten. Dialogu është hominem quero, thoshte ai. Megjithatë, ka dallime substanciale mes të folurit dhe të biseduarit. Të flasësh donë të thotë të jesh vetëm ndërsa kur bisedon, pranon edhe tjetrin. Sot, njerëzit nuk janë gjithaq të vetëdijshëm për rëndësinë e krijimit të urave mes tyre nëpërmes dialogut. Njerëzit po flasin shumë por shumë pak po bisedojnë. Njeriu që flet tepër nuk ka shumë për të dhënë ndërsa ai që dëgjon vetëm vetveten nuk dëgjon të tjerët. Njeriu ka nevojë edhe të bisedojë edhe të dëgjojë. E tërë jeta është luftë për veshin e huaj, thoshte Kundera. Nëse është e vërtetë se “muret kanë veshë”, e vërtetë është gjithashtu se edhe “veshët kanë mure”. Dialogu më i mirë është pa ndërmjetësime. Sa më shumë ndërmjetësues në dialog, aq më larg janë palët mes vete.
Tani, cilat janë shkaqet dhe motivet që pengojnë dialogun mes njerëzve? Mos është të folurit e tepërt por që nuk bisedohet? Dialogu nuk bëhet vetëm duke folur. Në dialog dëgjohet edhe mendimi tjetër. Njerëzit me përvoja të thella janë të gatshëm të dëgjojë më shumë se ata me përvoja të cekëta. Ibn Halduni kishte nënvizuar se njeriu me përvojë dëgjon më shumë se sa flet. Me dialog zbutet bindja e gabueshme se vetëm njëri ka të drejtë. Dialogu jep mundësinë e vlerësimit të tjetrit, krijon mundësinë e qasjes kritike ndaj çështjes së shtruar. Ai është fillimi i fundit të besimit të gabueshëm se pala tjetër nuk ka të drejtë.
Njeriu është i “gjallë” atëherë kur tregon gatishmëri për të biseduar. Dialogu pa rezultate është më i mirë se rezultati pa dialog. Në dialog, pyetjet e shtruara janë esenca, jo përgjigjet e dhëna aty. Liria e të pyeturit është djepi i mendimit të lirë. Ndër gabimet më të mëdha që bëjnë teologët janë pikërisht qëndrimet e tyre të ngurta ndaj pyetjeve. Disa teologë frikojnë besimtarët me dënim nga Zoti nëse këta të fundit pyesin shumë. Harrojnë faktin se pikërisht nëpërmes pyetjeve arrihet deri tek e Vërteta. Pyetja është ajo që i bashkon njerëzit, jo përgjigjet e pyetjeve. Pyetjet janë themelet e një shoqërie të hapur. Pyetja “jote” së bashku me pyetjen “time” krijojnë pyetjet “tona”. Pyetjet janë më të dashura se përgjigjet. Ajo që mbetet dhe nuk ndryshon është pyetja e jo përgjigja. Kur largojmë mënjanë përgjigjet, të freskëta mbeten vetëm pyetjet sepse ato jemi “Ne”. Kur bisedohet me tjetrin, biseda është dialogu mes njerëzve. Njeriu është njeri vetëm kur bisedon me njeriun përndryshe ai nuk është njeri.
Dialogu është marrje-dhënie reciproke, si i tillë prodhon dashuri. Dashuria e vërtetë është ajo që jep dhe merr. Kur bisedohet, njerëzit bashkohen dhe duhen mes vete. Aty ku gënjehet nuk ka dashuri. Dialogu krijon bazën e dashurisë mes njerëzve. Dashuria shtohet vetëm duke biseduar.
Dialogu është mënyra për t’i bërë njerëzit të hapen ndaj njëri tjetrit. Betonizimi në vetvete është kalaja e djallit dhe rezidenca e diktatorit. Në fakt, ai i cili për ndonjë arsye mbyllet në vetvete, nëse dëshiron të mbetet njeri, ai duhet të bisedoj, së paku me karakterin e brendshëm, por gjithsesi të bisedoj. Nëpërmes “tjetrit” njeriu njeh vetveten ndërsa me ndihmën e të tjerëve tejkalon “vetëm vetveten”. Nga rrafshi antologjik njeriu është e pa-përkryer ndërsa nga rrafshi gnoseologjik është i kufizuar. Dialogu është mënyra më sublime për të arrit të vërtetën. Berzhajevi mendonte se e vërteta është sikur jeta bashkëshortore; e vërteta nuk është vetëm e njërës palë, por e të dyja palëve. Mendimi yt mbi veten korrigjohet me mendimin e tjetrit për ty. Dialogu mes njerëzve perfeksionon edhe atë që është “Unë” edhe atë që është “Ti”. Ai është mozaiku i të qenit “Ne”.
Njeriu që pretendon se njeh plotësisht të vërtetën nuk ka nevojë të bisedoj dhe me që nuk ka njeri të tillë, të gjithë njerëzit kanë nevojë të bisedojnë. Dialogu nuk duhet të bëhet me imponime sepse imponimi shkel mbi integritetin e tjetrit. Mohimi i të drejtës së tjetrit për të jetuar është krim i rëndë që i bëhet njeriut, nga njeriu. Egoizmin nuk e duron Zoti. Dialog nuk mund të ketë mes njerëzve që mendojnë njëjtë. Të qenit të njëjtë nuk ka kurrfarë kuptimi. Nëpërmes dialogut duhet kërkuar të vërtetën e jo fitoren ndaj tjetrit. Sikur që nuk është e vërtetë krejt çka them unë, nuk është gabim as krejt çka thua ti. Nëse ka njeri që krejt çka thotë është ashtu, atëherë pse të ekzistojnë të tjerët? Dialogu zhvillohet vetëm aty ku njerëzit mendojnë ndryshe. Të bisedohet me ata që mendojnë si ti, donë të thotë të flasësh me vetveten. Zhdukja e dallimit mes njerëzve është fillimi i vdekjes së shpirtit të shoqërisë.
Njeriu dogmatik nuk duron dallueshmërinë. Dogma ideologjike pengon debatin dhe zhvillimin. Dogma është forma e brendshme e konfliktit ndërsa dhuna është forma e jashtme e dogmës. Pushteti i Greqisë së vjetër pranoi mendimin gjenial të Sokratit por vetëm deri atëherë kur ky i fundit preku dogmat helene, dhe kur i kritikoi ato, e helmuan për vdekje. Edhe në fe ekzistojnë dogmat. Të mira apo të këqija që janë, ato nuk lejojnë të preken. Nëse dikush merr guximin t’i interpretojë, ai njeri shpallet heretik dhe i kërkohet koka. Gjeneratat e para të myslimanëve nuk ishin dogmatike ndaj Islami u përhap në katër anët e botës, shpejt dhe efektshëm. Shkaqet e prapambeturisë së myslimanëve të sotëm duhet kërkuar në dogmatizmin e gati gjitha segmenteve të fesë. Nëpërmes interpretimeve të thata prapa të cilave gumëzhitin interesat e individëve dhe grupeve të interesit, institucionet fetare i kane bërë ashtu sikur të ishin të ardhura nga Zoti. Sot, dogmë është bërë edhe politika dhe sa herë mendohet ndryshe, politikisht linçohesh dhe shpallesh për armik të hapur.
Dialogu i vërtetë nuk duron rregulla të panumërta e as filozofi të thata. Mjafton sinqeriteti i njerëzve. Vetëm njerëzit me shpirt të pastër mund të bisedojnë, të tjerët flasin e llomotisin. “Ne mund të ekzistojmë vetëm kur unë dhe ti puqemi diku, për të biseduar” thoshte M. Buber.
Në dialog askush nuk humb, të gjithë mund të fitojnë. Përgjatë dialogut zbulohen gjëra të mrekullueshme. Dialogu i dhuron njerëzve një “sharing” të së vërtetës. Sa do që e vërteta ndahet mes njerëzve, ajo kurrë nuk pakohen. Vlera e njeriut matet me shkallën e bashkë-ndarjes me të tjerët; sa më shumë që jemi të hapur ndaj njëri tjetrit, aq më shumë i afrohemi Zotit dhe sa më shumë që largohemi nga njëri tjetri aq më larg i jemi Zotit të Madhërishëm.
Dialogu është pranimi i tjetrit. Dialogu duhet të vlerësohet mbi bazën e interesave të përbashkëta të palëve që dalin nga bisedimi. Në një shoqëri ku flitet më shumë se që zhvillohet dialog aty nuk ka liri. Fati i asaj shoqërie mbetet në duart e fatit të kohës. Në këtë gjendje duket se jemi ne dhe nëse vazhdohet kështu shqiptarët do ta kenë shumë të vështirë.
Dialogu që nuk ka kuptimin e bashkëpunimit shndërrohet në imponim dhe si i tillë është fillimi i dhunës. Herodoti në Historia e tij kishte shkruar: “Askush nuk duhet të zgjedhë luftën para paqes. Në paqe fëmijët varrosin prindërit ndërsa në luftë prindërit varrosin fëmijët”. Prandaj, sa më shumë që bisedohet aq më pak dhunës i mbetet hapësirë. Dialogu është politika më e mirë e mundshme. Është nevojë kohe të kuptojmë madhështinë e debateve dhe dialogut mes njerëzve. Solidariteti, pranimi i njëri tjetrit dhe qëndrimi larg diferencimeve duhet të jetë bazë e përpjekjeve tona për një të ardhme më të mirë. Këto, dhe shumë të tjera arrihen vetëm nëpërmes dialogut të hapur, të sinqertë dhe larg interesave të ngushta personale. Nga ky këndvështrim, debati më i mirë është kur njerëzit bëjnë përpjekje tu dhurojnë të tjerëve, jo të përftojnë për vetvete.
Debati i mirëfilltë është ai që rrezaton informata të vlefshme dhe dije tek të tjerët, jo ai që mbjell armiqësi mes debatuesve.