/Se kush janë përfituesit e vërtet, opinioni nuk e din, prandaj Qeveria duhet të i publikoj emrat, adresat dhe sasinë e mjeteve të falura secilës ndërmarrje ose person fizik veç e veç/
Ismajl KURTESHI
/2L ONLINE/ – Me iniciativën e Qeverisë, Kuvendi i Kosovës në seancën e 10 korrikut i fali 680 milion euro të gjitha kompanive dhe familjeve të cilat nuk i kanë paguar borxhet ndaj shtetit dhe ndërmarrjeve publike. Është e vërtet që në mesin e borxhlive ka edhe familje të varfra që duhet falur borxhin por ka edhe shumë të tjera që nuk kanë dashtë me i paguar ato. Është interesant se 10% e borxheve janë të doganave që do të thotë se ata që kanë pas para të blejnë vetura e gjësende tjera nuk paskan pas para për dogana. Se kush janë përfituesit e vërtet opinioni nuk e din, prandaj Qeveria duhet të i publikoj emrat, adresat dhe sasinë e mjeteve të falura secilës ndërmarrje apo person fizik veç e veç.
Në memorandumin shpjegues të këti ligji thuhet se ligji përcakton kriteret dhe procedurat. Por në ligj nuk ka asnjë nen që shpjegon cilat janë kriteret për subjektet që përfitojnë nga ky ligj. Neni 4 paragrafi 1 thotë se përfitojnë të gjithë personat që kanë obligime të pashlyera. Me kusht që ata të paguajnë borxhet pas datës një janar 2009 nuk është kriter. Ky kusht vetëm sa i favorizon ata që qëndrojnë mirë financiarisht sepse të varfrit nuk do të munden ta plotësojnë kushtin.
Në memorandumin shpjegues tek Objektivat dhe ndërlidhja e tyre me prioritetet e qeverisë thuhet se “ nga ky ligj përfitojnë kryesisht personat fizik të cilët kanë paqëndrueshmëri në mirëqenien e tyre sociale.
Por në ligj më tutje nuk përcaktohen kategoritë që përfitojnë, dhe kriteret që duhet përmbushur. Sipas këti ligji I falen borxhet si një familje e cila mbijeton me 200 euro në muaj dhe arsyeja pse nuk ka pagur ta zëmë ujin, rrymën apo shërbime të ngjashme është sepse thjesht nuk ka pas të hyra të mjaftueshme dhe është dashur të zgjedh të paguaj rrymës, ujit dhe borxheve tjera apo të blejë qumësht për fëmijë, natyrisht se në këtë situatë secili do të zgjidhte ushqimet e fëmijëve, prandaj këtyre familjeve duhet të u falen borxhet.
Por në mënyrën si është propozuar borxhet i falen edhe një biznesmeni i cili në vend që të paguaj detyrimet ndaj shtetit si taksat, doganat apo edhe shërbimet për ujë e rrymë ai ka vendosu të blej një Mercedes të klasës “E” apo një vill diku në bregdet.
Ky lloj i faljes jo vetëm që nuk krijon barazi por përkundrazi thellon pabarazinë kryesisht në kurriz të të varfërve dhe qytetarëve të ndershëm që i kanë shlyer të gjitha obligimet e veta ndaj shtetit dhe ndërmarrjeve publike
Çështje tjetër që nuk qartësohet me këtë projektligj janë borxhet ndaj ndërmarrjeve që në kohën kur u janë krijuar këto borxhe kanë qenë ndërmarrje publike por sot kanë statusin e kompanisë private siç është p.sh. KEDC. Në fakt nëse është një kompani e cila ka krijuar edhe borxhe fiktive është KEDS. Shumë familje, vazhdojnë të ju vinë fatura në shumë prej mijëra eruo për orët e regjistruara para lufte të cilat i janë faturuar paushall menjëherë pas luftës edhe pse shumë nga ato shtëpi kanë qenë të djegura gjatë luftës. Me rastin e privatizimit KEDS ka blerë të gjithë biznesin përfshi edhe borxhet. Tani çfarë do të ndodhë me borxhet që qytetarët kanë para datës 1 dhjetor 2009 ndaj kësaj kompanie. A do t’ju falen atyre këto borxhe?
Kompanitë publike në shumicën e rasteve kanë ri-programuar këtë borxh dhe ato natyrisht llogarisin në inkasimin e tij. Duke i llogaritur si të hyra të realizueshme ato edhe kanë mund të hynë në obligime ndaj një pale tjetër, qoftë në formë kredie apo kanë planifikuar që këto të hyra të i investojnë. Tani kush do i t’i mbuloj humbjet eventuale që këto kompani mund të pësojnë nga falja e këtyre borxheve. A do të duhet që qeveria të jua mbuloj këto borxhe apo këto kompani edhe do të detyrohen të rrisin çmimin e shërbimeve që ofrojnë dhe për pasoj prapë do të pësojnë qytetarët e ndershëm që kanë paguar rregullisht obligimet e tyre.
Është e arsyeshme që një kategorie të qytetarëve të ju falen borxhet, por duhet të përcaktohen kritere të qarta se cilët qytetarë do të përfitojnë dhe kjo të bëhet duke pas parasysh krijimin e një lloj barazie mes qytetarëve. Kështu si është, ky projektligj më shumë i amnistojnë bizneset dhe qytetarët e papërgjegjshëm që nuk kanë paguar obligimet e tyre, sesa ndihmon qytetarët me gjendje të rënd ekonomike.
Prandaj nëse ky projektligj është bërë për t’ju ndihmuar familjet e varfra duhet të ndryshohet në leximin e dytë në Kuvend. /2L ONLINE/
/autori është deputet i Lëvizjes Vetëvnedosje/