Marrëveshja në parim, e arritur në mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pritet të finalizohet gjatë kësaj jave. Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajredin Kuçi, ka thënë për Telegrafin se janë duke bërë konsulta me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), për titullarët e qeverisë së re.
I pyetur se kur do të dihen emrat e atyre që do ta përbëjnë ekzekutivin e ri, Kuçi është shprehur optimist se kjo do të ndodhë gjatë kësaj jave.
“Brenda javës, besoj”, ka thënë shkurt ai.
Bërja publike e Qeverisë së koalicionit PDK-LDK do të heq edhe dilemat se kush do të jetë kryeministri. Nga partia e Isa Mustafës kanë theksuar se janë të vendosur që pozitën e kryeministrit të mos e negociojnë me asnjë kusht.
Madje, deputeti i LDK-së, Sadri Ferati, ka theksuar se koalicionin PDK-LDK, është “koalicion i zorit”. Ndryshe, javën e kaluar pas më tepër se pesë muaj, partia e Mustafës ka vendosur që, përmes marrëveshjes me partinë e Thaçit, ta zhbllokoj ngërçin politik.