Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, z. Blerim Kuçi, sot ka pritur në takim ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, znj. Vlora Dumoshi.
Temë diskutimi me ministren Dumoshi ishte shtyrja përpara e projektit shumëvjeçar të Teatrit të Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova”.
“Është fatkeqësi që deri tash ende diskutohet për këtë projekt, kur tashmë është dashur ta gëzojmë objektin e përfunduar të teatrit e operës dhe baletit. Sa i përket Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, gjithçka që është e mundur do të bëhet. Shpresojmë që t’i japim rrugë të ndërtimit njëherë e mirë këtij projekti të rëndësishëm për kulturën e vendit”, ka thënë Kuçi, teksa ka përgëzuar ministren Dumoshi që këtë projekt e ka vënë si synim kryesor.
Duke u nisur nga përvoja e ministrit Kuçi edhe si kryetar i Komunës së Suharekës dhe pasionit të tij për arkeologjinë e historinë, ai shfrytëzoi rastin që ta njoftojë ministren Dumoshi për lokalitetet arkeologjike që kanë nevojë për vëmendje në Suharekë.