Në vazhdën e takimeve bashkëpunuese me ambasadorë të vendeve të BE-së të akredituar në Kosovë, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka zhvilluar një takim më Ambasadoren e Francës, Maryse Daviet, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin ndërshtetërorë Kosovë – Francë, aktualitetin politikë dhe misionin e EULEX-it.
Ministri Kuçi vlerësoi bashkëpunimin që institucionet e Kosovës, në veçanti Ministria e Drejtësisë kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë me Ambasadën e Francës dhe institucionet e tjera të këtij vendi që veprojnë në Kosovë, sidomos në fushën e drejtësisë.
Duke biseduar për misionin e EULEX-it në Kosovë, të dy bashkëbiseduesit vlerësuan punën e këtij misioni, ndërsa Ministri Kuçi ka ripërsëritur qëndrimin e tij për nevojën që çështja e misionit të EULEX-it duhet të definohet sa më parë. Ai tha së është në interes të drejtësisë që të ketë marrëveshje me Brukselin sa më shpejtë, në mënyrë që kjo çështje të përfundojë brenda mandatit të tanishëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Bashkëbiseduesit pasi diskutuan për aktualitetin politikë në Kosovë, shprehen gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Francës.