/2L ONLINE/ – Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (KSHMS), të premten ka diskutuar kryesisht për rastet sociale, është njoftuar me procedurat që ndiqen nga komisioni përkatës, për t`i ndihmuar këto familje, kryesisht me barna si dhe ka vizituar njërën nga dy qendrat e banimit në lagjen “Kodra e Thatë” ku janë të strehuara 53 familje.
Dr Jashar Jashari, kryesues i këtij Komiteti, ka thënë se vizita në drejtorinë e linjës, ka për qëllim që të njihemi me kërkesat e qytetarëve për ndihmë në barna dhe procedurat që ndjek komisioni gjatë shqyrtimit të këtyre kërkesave, duke sugjeruar që brenda mundësive buxhetore, ndarja e subvencioneve të jetë sa më proporcionale, veçmas për disa sëmundje, trajtimi i të cilave kërkon kosto më të madhe financiare dhe këto kategori nuk mund t`i përballojnë vetvetiu.
Veton Uka nga Komisioni për shqyrtimin e kërkesave të qytetarëve, ka thënë se ata mundohen t`i ndihmojnë të gjitha rastet që paraqiten, përfshirë edhe ata që nuk janë përfitues të skemës sociale, por kuptohet që përparësi u japim rasteve sociale, ka thënë ai.
Nëse, për shkak të kritereve, ndihma sociale i ndërpritet një familje në momentin kur fëmija i saj më i vogël mbush 5 vjet, kjo nuk do të thotë se gjendja e saj familje është përmirësuar në aspektin ekonomik.
Zakonisht një rast ndihmohet dy herë brenda një viti, por mund të ndodh që të ndihmohet edhe tri herë, nëse ka buxhet.
Sami Ahmeti, anëtar tjetër i këtij komisioni, ka thënë se nga shuma vjetore prej 109 mijë euro, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale duhet të ndihmojë 15 familje të dëshmorëve dhe invalidëve të periudhës para luftës së vitit 1999 si dhe pjesëmarrës në luftën e UÇPMB-së, me nga 130 euro në muaj, pastaj OJQ-të – me mbi 27 mijë euro dhe pjesa tjetër e këtij buxheti mbetet për barna.
“Në këto kushte kur kërkesat janë të shumta, ndërsa mundësitë janë të kufizuara, ne jemi munduar maksimalisht që të paktën të jemi korrektë me të gjitha ata që trokasin në këto dyer”, ka thënë Ahmeti.
Problem më vete është banimi social. Nexhat Hajrullahu, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, thotë se strehimi i 53 familjeve në dy objekte të banimit kolektiv, nuk është zgjidhje e qëlluar, sepse atje është krijuar në geto me kategori sociale.
Edhe pse strehimi në këtë qendër është i përkohshëm, shumica e këtyre familjeve nuk mund ta kapërcejnë pragun e varfërisë dhe janë të detyruar të mbeten aty përjetshëm.
Ai e ka nënvizuar punën e mirë që është bërë në dy vitet e kaluara, kur janë ndërtuar 40 shtëpi të reja për familje me nevoja strehimi, 40 të tjera janë rinovuar, ndërsa po kaq familjeve u kompensohet qiraja mujore e banimit.
Hajrullahu, Uka e Ahmeti janë përgjigjur edhe në pyetjet dhe interesimet e anëtarëve të KSHMS, rreth ndarjes së subvencioneve për barna, banimit social si dhe çështjeve të tjera të karakterit social dhe shëndetësor.
Anëtarët e Komitetit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Jashar Jashari, Selvete Shurdhani, Mirvete Kurteshi, Fatbardha Selmani dhe të tjerë, së bashku me drejtues dhe zyrtarë të drejtorisë së linjës, kanë vizituar njërën nga dy objektet e banimit kolektiv dhe kanë biseduar drejtpërdrejt me disa nga familjet për kushtet e jetës në këtë qendër, nevojat dhe problemet që kanë ato.
“Kërkesat e familjeve që i vizituam, kryesisht kishin të bënin me zgjerim të hapësirës, për shkak të rritjes së numrit të anëtarëve, ankesa për shkyçjen e rrymës, për defekte të tjera të natyrës teknike dhe të tjera, por kishte edhe prej tyre që ishin të kënaqur me këtë zgjidhje”, thotë Jashari.
Po ashtu ai thotë se kërkesat për strehim janë ende të mëdha. “Ne konstatuam se me gjithë investimet që janë bërë në sektorin e banimit social, si nga buxheti i Komunës, ashtu edhe i qeverisë, e po ashtu edhe nga fondi social, përmes donatorëve, nevojat për banim social mbeten ende të mëdha”, ka thënë dr Jashar Jashari. /2L ONLINE/