(2L ONLINE) – Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, autoritetet komunale në Gjilan ua kanë e besuar fëmijëve udhëheqjen e të gjitha institucioneve të pushtetit lokal. Emine Haliti, kryetare e Komunës, e shoqëruar nga kryesuesja e Kuvendit Komunal, Monika Bunjaku, nënkryetarja e Komunës, Hajrije Haliti si dhe stafi ekzekutiv, kanë vizituar disa prej drejtorive komunale, për t`u njoftuar me punën që bëjnë këta sektorë si dhe kanë marrë kërkesat e drejtorëve të rinj mbi nevojat e qytetarëve.
Drejtori i Administratës, Milot Stublla ka thënë se Gjilani është komuna e parë në Kosovë që ka filluar me lëshimin e dokumenteve të gjendjes civile përmes aplikimit “online” dhe ky shërbim është mirëpritur nga qytetarët, sepse ata nuk kanë nevojë të vijnë në ambientet e administratës dhe të presin në radhë për një certifikatë, të cilën mund ta marrin në shtëpitë e tyre, përmes shërbimit postar, që për gjashtë muajt e parë nuk bie në barrë të aplikuesit, por të Komunës.
Stublla ka sqaruar edhe procedurat e aplikimit, numrin e aplikuesve të deritashëm, mënyrën pagesës së shërbimit për dokumentin e kërkuar të gjendjes civile dhe është përgjigjur në të gjitha interesimet e kryetares së Komunës si dhe stafit të saj.
Ndërkaq, në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, ata janë njoftuar nga drejtori Gentrit Nuhiu për punët që kryen ky sektor, ku, siç ka thënë ai, adresohen të gjitha kërkesat e qytetarëve, të cilat kanë të bëjnë me ujë, kanalizime dhe ndriçim publik.
Nuhiu ia ka prezantuar para kryetares së Komunës edhe disa prej kërkesave të fundit të qytetarëve, të cilët kanë kërkuar investime në lagjet e tyre, në rregullimin e rrugëve, ujit, kanalizimit ose ndriçimit publik.
Kryetarja e Komunës dhe ekipi i saj qeverisës kanë bërë vizita pune edhe në disa drejtori tjera. /2L ONLINE/