Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në emër të qytetarëve të Gjilanit, ka ngushëlluar familjen Seferi dhe gjithë Gjilanin me ikjen e hershme nga kjo botë të Ibrahim Seferit.
“Ikja e Heronjëve dhe e familjarëve të tyre, gjithnjë pas vetes pos krenarisë kombëtare, prapa lënë mesazhin, idealin dhe qëllimin e rrugës që duhet të vazhdojmë ne të gjallët. Ibrahim Seferi, për të gjithë ne që e kemi njohur është një shtyllë e madhe e familjes, që fatkeqësisht sot u nda herët nga jeta. Ishte frymëzim për disa gjenerata. Sjellja e tij, karakteri, vendosmëria dhe gjithçka tjetër, atë e bëri të dalluar, sikur që e dalluar dhe simbol kombëtar është familja e heroit të Kombit Idriz Seferi. Fjalët e tij ishin mesazh i ruajtur brez pas brezi. Kontributi i Ibrahimit gjithnjë ka qenë dhe do të mbetet me vlera të larta, kombëtare për lirinë e Kosovës, por gjithashtu kontributi i tij është dhënë edhe në ndërtimin dhe zhvillimin e Komunës së Gjilanit dhe Kosovës. Pusho i qetë në tokën e Republikës së Kosovës, të lirë, të pavarur dhe në rrugë të mbarë për integrim, ashtu siç e kanë kërkuar dhe ëndërruar dëshmorët dhe heronjtë”, ka thënë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.