Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi-Krasniqi, si dhe u.d drejtorin e Qendrës Kryesore Familjare, Besim Beqiraj, kanë pritur në takim Udhëheqësin e projektit të “AQH”, Nicu Fota, si dhe zëvendësudhëheqësen e të njëjtit projekt, Qamile Ramadani.
Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me mundësitë më të mira të bashkëpunimit në mes të komunës dhe projektit “AQH”, për të ofruar shërbime sa më të mira shëndetësore për qytetarët.
Kryetari i komunës, Qëndron Kastrati, ka thënë se është tejet falënderues për bashkëpunimin e ofruar ndaj komunës sonë, sepse pretendimi ynë është që të ofrojmë shërbime sa më cilësore dhe të lehta për qytetarë në shërbimet shëndetësore.
“Jam i lumtur për këtë bashkëpunim që po zhvillohet në komunën tonë. Si qeverisje gjithmonë kemi synuar krijimin dhe ofrimin e kushteve sa më të mira shëndetësore për qytetarët tanë. Falënderojmë projektin “AQH” si dhe qeverinë zvicerane që kanë zgjedhur Kamenicën për këtë projekt”, ka thënë Kastrati.
Ndërkaq, drejtoresha Suna Zajmi-Krasniqi, tha se është shumë e lumtur që qytetarët tanë çdo ditë e më shumë po kanë mundësi të reja për marrjen e shërbimeve shëndetësore.
Ky projekt i cili do të realizohet në Komunën e Kamenicës financiohet nga qeveria zvicërane dhe do të ndahet në tri faza: Fuqizimin e kapaciteteve të stafit profesional, fuqizimin menaxherial në rritjen e cilësisë së tyre si dhe fuqizimin e komunitetit në aspektin e informimit të tyre në lidhje me kujdesin shëndetësor dhe në aspektin e vendimmarrjes. /2LONLINE.com/