Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Bislim Zogaj, zyrtarin Shaban Kastrati nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, si dhe zyrtarin Irfan Dërmaku nga Drejtoria për Pronë Kadastër dhe Gjeodezi, kanë vizituar vendin ku do të rindërtohet bunkeri i Gjon Serreqit në Shipashnicë.
I pari i Komunës ka thënë se bunkeri i Gjon Serreqit ka bagazh historik, dhe është një nga zhvillimet më të rëndësishme në historinë tonë.
“Tejet i lumtur që në Kamenicë po investohet edhe në aspektin historik. Bashkë me drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Bislim Zogaj, vizituam vendin ku do të rindërtohet bunkeri i Gjon Serreçit në Shipashnicë. Ky bunker ka bagazh historik pas vetës, prandaj duhet ta ruajmë sepse është një nga zhvillimet më të rëndësishme që ka ndodhur në historinë tonë. Falënderoj z. Zogaj, dhe kolegët Shaban Kastratin e Irfan Dërmakun për angazhimin në këtë projekt tejet të rëndësishëm”, ka thënë Kastrati.
Edhe drejtori Bislim Zogaj theksoi nevojën e rindërtimit të këtij bunkeri.
“Ky bunker duhet të rindërtohet në mënyrë që të dëshmohet e kaluara e luftëtarëve të asaj kohe”, ka thënë ai. /2LONLINE.com/