Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka marrë sot pjesë në takimin me temën “Performanca komunale – vështrim drejt të ardhmes”.
Qëllimi këtij takimi është të diskutohet performanca komunale, mekanizmi i grantit të performancës, arritjet dhe sfidat.
Gjatë këtij takimi kryetarët e komunave kanë diskutuar rreth bashkimit të Grantit të Performancës dhe Fondit Stimulues të MAPL-së.
Në këtë takim ishte e paraparë të marrin pjesë kryetarët e të gjitha komunave në Kosovë, përfaqësuesit e donatorëve të Grantit të Performancës dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Pushtetit Lokal të Kosovës.
Përndryshe ky takim është mbajtur me ftesën e Projektit për Decentralizim dhe Përkrahje Komunave (DEMOS) që është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i bashkëfinancuar nga Suedia dhe i zbatuar nga Helvetas.
Ky projekt promovon dhe mbështet 38 komunat e Kosovës drejt një qeverisje lokale më demokratike dhe njëmenaxhimi më të mirë komunal. Ndërkaq projekti DEMOS mbështet komunat bazuar në performancën e tyre, duke përdorur grantin e performancës dhe shpeshherë Komuna e Vitisë ka përfituar nga ky grant.