Kryetari i Prishtinës Përparim Rama u takua sot me anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane për të diskutuar lidhur me projektet zhvillimore për qytetin e Prishtinës përfshirë edhe zhvillimin e zonave ekonomike, të cilat mes tjerash do të lehtësonin edhe të bërit biznes brenda Prishtinës.
Kryetari Rama foli për planet e Komunës për përmirësimin e mobilitetit brenda qytetit, por edhe mundësitë e realizimit të projekteve specifike përmes partneritetit publiko-privat. Rama foli për rëndësinë e Arkitektit të Qytetit, iniciativë kjo e autoriteteve komunale, duke theksuar se përveç planifikimit të mirëfilltë urban, Arkitekti i Qytetit do të ndihmojë edhe në reduktimin e burokracisë, ofrimin e transparencës më të madhe dhe rrjedhimisht eliminimin e korrupsionit.
Koncepti i qyteteve inteligjente dhe përdorimi i zgjidhjeve të teknologjisë së informacionit për të avancuar menaxhimin e qytetit, ishte po ashtu në fokus të diskutimit ndërmjet Kryetarit Rama dhe përfaqësuesve të sektorit privat. /2LONLINE/