Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, në takime të ndara, kanë takuar sot strukturat e partisë në Bresalc, Ponesh e Verbicë të Zhegocit, për t’i marrë qëndrimet e tyre lidhur me investimet në këtë pjesë për t’i inkorporuar në programin qeverisës për katër vitet e ardhshme.
Kryetari i nëndegës (LDK) së Bresalcit, Mustafë Selimi, është shprehur se në Bresalc ka pasur rezultate të punës dhe jo të propagandës.
“Nën qeverisjen e kryetarit Haziri, në Bresalc ka pasur rezultate të punës e jo të propagandës. Me këto investime banorëve të fshatit tonë i është kthyer dinjiteti. Do të punojmë bashkarisht që ta bëjmë fitoren e madhe të kryetarit Haziri dhe LDK-së sonë”, ka thënë Selimi, me konstatimin e të cilit janë pajtuar qindra aktivistë të partisë.
Kryetari Lutfi Haziri theksoi se e bënë krenar fakti që tashmë janë në prag të përmbylljes së punëve në këtë fshat, për të vazhduar edhe me projektet tjera sipas kërkesave të qytetarëve.
“Në “Lagjen e Xhamisë” dhe në “Gllamë” na mbetet t’i përfundojmë punët tona sepse shumicën e projekteve i kemi realizuar. Jam shumë krenarë për këtë. Për punë të kryer nuk ka falënderim sepse e kemi pasur obligim që t’ua kthejmë njerëzve dinjitetin. E investimi i shekullit për Gjilanin është autostrada Gjilan-Prishtinë, ku do të ketë impakt të madh të zhvillimit edhe për Bresalcin, Poneshin, e Verbicën e Zhegocit”, tha Haziri.
Edhe banorët e Poneshit dhe Verbicës janë shprehur falënderues për udhëheqësinë komunale për realizimin e projekteve në të mirë të komunitetit, ndërsa i kanë paraqitur kërkesat e tyre për investime për katër vitet e ardhshme të qeverisjes.
Strukturat e LDK’së në këto fshatra kanë konfirmuar se kanë filluar takimet lagje për lagje e derë me derë, për t’i caktuar prioritetet e investimeve.