Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë vizitës së tij zyrtare në ShBA, është pritur në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes. Në Pentagon, Kryetari Abdixhiku ka zhvilluar takim me Drejtorin Kryesor të Departamentit të Mbrojtjes për Evropën dhe Politikat e NATO-s, Andrew L. Winternitz.
Në këtë takim, kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen e thellë ndaj Departamentit të Mbrojtjes për kontributin e dhënë për Kosovën në të gjitha etapat historike. Në veçanti, kryetari Abdixhiku vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Departamenti Amerikan i Mbrojtjes jep ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe kapaciteteve ushtarake të Republikës së Kosovës.
Në Pentagon, kryetari Abdixhiku kërkoi mbështetje të mëtutjeshme të ShBA-ve për realizimin e aspiratës historike të popullit të Kosovës për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO. Në këtë takim u shtruan dhe kërkesat e pikëpamjet e LDK-së për ‘Kartën për Partneritet Strategjik mes ShBA-ve dhe Kosovës sikurse shndërrimin e Kampit Bondsteel në bazë të përhershme amerikane në Kosovë.
Pas vizitës në Departamentin Amerikan të Shtetit, takimeve në Senat e Kongres, takimi në Pentagon përbën një ndër pritjet më të rëndësishme të vizitës zyrtare të kryetarit Abdixhiku në ShBA. /2LONLINE/