Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi ka pritur sot në një takim Kryetarin e Odës së Avokatëve të Regjionit të Gjilanit, Shemsedin Piraj, së bashku me një grup të avokatëve.
Kryetari Azizi, fillimisht ka njoftuar avokatët për punën në Gjykatë, sfidat dhe problemet ballafaqohet, me theks të veçantë ka përmendur mungesën e gjyqtarëve, si në Gjykatën Themelore të Gjilanit ashtu edhe në Degën e Gjykatës Themelore në Kamenicë dhe Novobërdë.
Ditë më parë është publikuar një anketë nga Democracy Plus, ku ka pyetur avokatët rreth korrupsionit dhe në bazë të saj ka dal që 13 %, të avokatëve iu është kërkuar ryshfet.
Kryetari Azizi, ka kërkuar nga avokatët që për çdo rast të tillë të ryshfetit të lajmërojnë organet e ndjekjes, në mënyrë që kjo dukuri të eliminohet.
Edhe kryetari i Odës, Shemsedin Piraj ka kërkuar nga kolegët e tij që të lajmërojnë rastet e tilla në organet që janë kompetente, dhe jo rastet e tilla të i deklarojnë vetëm nëpër anketa që organizohen.
Të dy kryetarët janë pajtuar që ka disa probleme të vogla si në Gjykatë ashtu edhe në Odë, mirëpo dakordim i të dyve ka qenë që këto probleme do të eliminohen në të ardhmen.
Gjithashtu është caktuar që takimet e tilla të mbahen çdo tre muaj.