(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri së bashku me nënkryetarin Rexhep Kadriu, kryesuesen e Kuvendit Komunal Valentina Bunjaku-Rexhepi si dhe drejtorët komunal kanë mbajtur debatin e parë publik me qytetarët gjilanas. Ajo që u vlerësua edhe nga të pranishmit ishte fakti se kryetari ishte fare i shkurtër në paraqitjen e tij, duke lënë kohën në disponim dhe dhënë rast qytetarëve të shprehnin interesimin e tyre, gjë që nuk ishte praktikë e mëhershme në debate të tilla, që zakonisht organizohen dy herë në vjet.
Fillimisht kryetari Haziri tregoi për punët që qeverisja të cilën e udhëheq ai i ka bërë për këto gjashtë muaj, duke filluar nga disiplina e ashpër buxhetore, për të cilën tha se nënkupton ndaljen e çfarëdo lloj shpenzimi të panevojshëm. Haziri tha brenda gjashtë muajve janë shlyer mbi 1.8 milionë euro borxhe të trashëguara nga qeverisja e kaluar.
“Në vend se të bëjmë investime të mëdha, ne është dashur të shlyejmë borxhet që janë kryesisht ndaj operatorëve privat nga Gjilani”, tha Haziri.
Gjatë kësaj kohe, Haziri theksoi se i ka ndërprerë të gjitha kontratat në vepër, kanë nisur projektet e katërshes së madhe të prioriteteve në infrastrukturë, ndërsa Komuna e Gjilanit ka konkurruar në 8 programe dhe i ka fituar shumicën e tyre, ku donatorë janë: Bashkimi Europian, qeveria zvicerane, GIZ-i gjerman e USAID-i amerikan.
Kreu i Komunës së Gjilanit pohoi se janë marrë me trajtimin e rasteve sociale, ndërsa për kategorinë e qytetarëve që kanë probleme të strehimit ku janë zotuar mjete shtesë.
Më pas kanë pasur pyetjet e shumta të qytetarëve lidhur me lumin “Mirusha”, ndërtimin e parkut në lagjen “Dardania”, projekte infrastrukturore, sociale, të arsimit, të bujqësisë, të kulturës e sportit, ndërsa me kënaqësi u janë përgjigjur kryetari Haziri, nënkryetari Kadriu, kryesuesja Bunjaku-Rexhepi dhe drejtorët komunal.
Nënkryetari Rexhep Kadriu, duke folur për ecurinë e punimeve të lumit “Mirusha”, ka thënë se deri tash janë punuar 1100 metra kanalizim, ndërsa kanë mbetur edhe 550 metra deri në përfundim, ndërsa për shtratin e lumit tha se janë në rishim të projektit, duke thënë se nuk do të bëhen shpronësime milionëshe, por do të gjendjen zgjidhje alternative.
Ndërsa kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi është përgjigjur në pyetjet për shoqërinë civile, duke thënë se është prezente në të gjitha trupat e Kuvendit. Ajo tha se po mundohet ta bëjë punën mirë në Kuvend, duke i trajtuar asambleistët e pozitës dhe opozitës njësoj.
Ndërsa, duke folur për buxhetin për Bujqësinë, kryetari Haziri tha se është paraparë që 52 për qind e të hyrave komunale të shkoj për këtë sektor, por në këtë vit nuk ka qenë e mundur një gjë e tillë pasi që buxhetin e miratuar nga ish-qeverisja nuk ka mundur ta ndryshojë.
Kryetari i Komunës së Gjilanit është shprehur gjithashtu se do të rregullohet edhe çështja e transportit të nxënësve që udhëtojnë më larg se katër kilometra. Ai tha se Qendra Kryesore Mjekësisë Familjare do të funksionalizohet, përderisa shtoi se do të zgjidhet edhe çështja e “Sahat kullës”.
Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri tha në fund se në të ardhmen do të ketë debate lagje për lagje dhe fshat për fshat, për t’i dëgjuar hallet dhe kërkesat e qytetarëve dhe për t’i realizuar projektet e duhura për ta. /2L ONLINE/