Pas pakënaqësive që janë bërë publike nga disa OJQ dhe individë, lidhur me punën e komisionit vlerësues për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikacioneve të Thirrjes për mbështetje financiare të OJQ- nga DKRS-ja për sektorët e rinisë, kulturës e sportit, të martën, kreu i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, përmes një postimi në profilin e tij në facebook, ka bërë me dije se ka shkarkuar komisionin vlerësues dhe ka rihapur thirrjen për subvencionimin e OJQ-ve dhe individëve nga fushat e lartpërmendura.
“Nga vlerësimi i bërë procesit ne konstatojmë për parregullsi, të mjaftueshme për ta kontestuar dhe për të vendosur për anulim të gjithë procesit të thirrjes publike për subvencionimin e organizatave dhe individëve nga fusha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, ka shkruar në profilin e tij, kryetari Hyseni, për të bërë me dije se ka shkarkuar komisionin vlerësues për të rihapur thirrjen nga fillimi për të cilën do të themelojnë komision të ri dhe do të sigurojnë monitorim të procesit, transmeton Portali 2LONLINE.
Kjo ka bërë që sot, përmes një konference të jashtëzakonshme para Teatrit të Qytetit të Gjilanit, anëtarët e këtij Komisioni të dalin dhe të vlerësojnë se kanë bërë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe të paanshme përgjatë vlerësimit të të gjitha aplikacioneve.
Ndërkohë që veprimin e kreu të komunës së Gjilanit, Alban Hysenit, për shkarkimin e komisionit vlerësues, e konsiderojnë si të ngutshëm. Për më tepër ata thonë se vendim në fakt nuk ka sepse sot janë interesuar dhe e kanë kërkuar një vendim të tillë, por në lidhje me këtë mbetet vetëm postimi i të parit të komunës në profilin e tij, ku e ka bërë të ditur këtë veprim të tij.
Përndryshe, sipas vendimit të emërimit të këtij komisioni, anëtarë të tij kanë qenë: Armend Misini, Enkelejda Arifi, Saranda Rashiti, Fisnik Isufi, Burim Demiri dhe Genc Mustafa (anëtar rezervë në rast të konfliktit të interesit).
Burim Demiri në emër të këtij komisioni, ka thënë se Komisioni konstaton se kanë respektuar rregulloret e prezantuara nga DKRS-ja, ku kanë vlerësuar në mënyrë profesionale dhe të paanshme të gjitha aplikacionet.
“Konstatojmë fuqishëm se asnjëri nga anëtarët e Komisionit nuk ka bërë shkelje ligjore”, ka thënë Demiri në emër të të gjithë anëtarëve të Komisionit, transmeton 2LONLINE.com.
Sipas tij, por edhe përfaqësueses tjetër, Enkeljda Arifit, paraprakisht komisioni bënë vetëm vlerësimin, i njëjti nuk i ndan mjetet. Sa i përket aludimit të konfliktit të interesit, DKRS-ja ka paraparë konfliktet eventuale të interesit, prandaj edhe është propozuar anëtari rezervë, gjithmonë duke respektuar rregulloret konkrete, mbi kriteret, standardet dhe procedurat financiare publike të OJQ-ve.
Po ashtu u tha se aty ku ka pas konflikt interesi, është bërë zëvendësimi me anëtarin rezervë dhe nuk është lejuar keqpërdorime në vlerësim. andaj, Komisioni vlerëson se për ta vërtetuar këtë ftojnë auditorin dhe institucionet relevante që të rishikojnë dokumentet që gjenden në komunë.
Përndryshe, lidhur me vendimin për shkarkim të komisionit në fjalë, nga përfaqësuesit e këtij komisioni u tha se në fakt ende nuk e kanë parë ndonjë vendim të tillë, përkundër që e kanë kërkuar, por se ajo mbetet vetëm një postim i kryetarit të Komunës së Gjilanit të facebook, e për të cilën vlerësojnë se është ngutur në këtë rast dhe presin të reflektojë, transmeton 2LONLINE.com.
“Rekomandojmë që vlerësimi të konsiderohet i rregullt, ku do t’i publikojmë rezultatet e të gjithë aplikantëve në rrjetet sociale, për hir të disa organizatave të cilat kanë respektuar thirrjet dhe kriteriumet. Ne si komision kemi qenë të vetëdijshëm për pakënaqësitë eventuale që do t’i paraqesin organizatat e ndryshme, sepse nuk kemi lejuar asnjë individë a organizatë që projektet e tyre të kalojnë nëse kanë pasur mungesë dokumentacioni apo elemente të tjera kundërligjore, dhe pikërisht këtë standard të ri që kemi vendosur si Komision i pavarur po e paguajmë me shpifjet që po bëhen në drejtimin tonë”, ka thënë Burim Demiri përfaqësues i këtij Komisioni.
Përndryshe, ata thanë se do ta presin për ta parë vendimin për të parë veprimet tjera si Komision. /2LONLINE/