Në Bibliotekën e qytetit “Fan S. Noli”, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka ndarë mirënjohjet për tre lexuesit e vitit 2021, përkatësisht për Anila Dakun, Kaltrina Berishën dhe Tuana Shabanin, të cilat kanë lexuar më shumë se 50 libra brenda vitit, ngjarje kjo që shënon fillimin e aktiviteteve në shënim të 14-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Për mua është shumë me rëndësi që shënimin e përvjetorit të 14-të të pavarësisë po e fillojmë në Bibliotekën e qytetit. Unë zotohem që si institucione lokale e qendrore që do t’i përkrahim institucionet e dijës. Unë jam ithtarë që nga librat fizik të kalojmë në libra elektronik e modern, për ta rritur edhe më shumë volumin dhe mundësinë e hulumtimit për lexuesit e qytetit tonë. Urime Dita e pavarësisë të gjithëve, njëkohësisht edhe urime lexuesve më të dalluar të vitit”, ka deklaruar kryetari i Gjilani, Alban Hyseni.
Në këtë takim është shfaqur edhe një program i pasur kulturor-artistik nga nxënësit të cilët janë edhe lexues në Bibliotekë.
Ndryshe, në kuadër të shënimit të 14-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, përpos aktivitetit për lexuesit më të dalluar, në mbrëmje është paraparë që të jepet edhe shfaqja teatrale “Viganët” në Teatrin e qytetit (19:00), për të vazhduar me ditën e nesërme me këto aktivitete: Homazhe te varrezat e dëshmorëve (10:00), Koncert festiv për fëmijë para teatrit të qytetit (11:00) dhe ekspozita kolektive me imazhe në Galerinë e Qytetit në ora 17:00. /2LONLINE/